Bordi i NPL “Stacioni i Autobusëve” Sh.A. ka kundërshtuar vendimin për shkarkimin e tij, duke pretenduar se procedura është ndërmarrë nga anëtarë të rinj të Komisionit Komunal të Aksionarëve, në një kohë kur vendimi për emërimin e tyre ende nuk kishte hyrë në fuqi.
Anëtarja e Bordit, Elona Bajgora, ka thënë se vendimi për shkarkimin e Bordit ekzistues dhe emërimin e një Bordi të përkohshëm është juridikisht i kontestueshëm.
“Vendimin për shkarkimin e Bordit ne e kundërshtojmë , pasi konsiderojmë se vendimi është marrë nga persona të cilët, në momentin e ndërmarrjes së këtyre veprimeve, ende nuk e kishin fituar mandatin për të ushtruar kompetencat e aksionarit”, ka deklaruar Bajgora. “Sipas Bordit, vendimi nr. 01-020/04-146972/26 përcakton se ai hyn në fuqi 30 ditë pas regjistrimit në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), si dhe shtatë ditë pas publikimit në ueb-faqen e Kryeqytetit”, ka shtuar ajo.
Akti është parashtruar në MAPL më 1 tetor 2026, ndërsa Bordi pretendon se në momentin kur janë ndërmarrë veprimet për shkarkimin e tij, afati 30-ditor ende nuk kishte përfunduar.
Ndërkohë, anëtarët e deritanishëm të Komisionit Komunal të Aksionarëve më 2 tetor 2026 kanë paraqitur kërkesë në MAPL për shqyrtimin e ligjshmërisë së procedurës dhe vendimit.
Në kërkesë janë ngritur pretendime lidhur me konfliktin e interesit, urgjencën, rendin e ditës, mënyrën e votimit, kuorumin dhe mangësi të tjera të vendimit.
Bordi thotë se deri më tani nuk ka pranuar përgjigje nga MAPL-ja lidhur me këto pretendime.
Pavarësisht kësaj, sipas Bordit, anëtarët e rinj kanë ushtruar kompetencat e aksionarit, duke shkarkuar Bordin ekzistues dhe duke emëruar një Bord të përkohshëm.
“Ne kërkojmë që institucionet kompetente ta shqyrtojnë menjëherë ligjshmërinë e këtyre veprimeve dhe të japin përgjigje për kërkesën e parashtruar në MAPL”, është shprehur Bajgora.
Bordi ka ngritur shqetësime edhe për veprimet e sekretares së ndërmarrjes, Bedrie Mjeku, duke pretenduar se ajo ka mundësuar takimin dhe ka protokolluar vendimet për shkarkimin e Bordit dhe emërimin e Bordit të përkohshëm.
Sipas Bordit, Mjeku ka qenë në dijeni se vendimi mbi bazën e të cilit kanë vepruar aksionarët e rinj ende nuk kishte hyrë në fuqi.
Në fund, Bordi ka bërë të ditur se do të vazhdojë t’i ushtrojë kompetencat dhe përgjegjësitë e tij dhe se do të përdorë të gjitha mjetet dhe mekanizmat juridikë në dispozicion për garantimin e ligjshmërisë, mbrojtjen e interesit të ndërmarrjes publike dhe përmbushjen e detyrimeve përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

