Policia kantonale e Graubündenit ka ndaluar tre shtetas rumunë, pasi në një furgon shpërndarjeje u gjetën makina ndërtimi dhe biçikleta elektrike, të dyshuara si të vjedhura.
Vlera e mallrave arrin në disa dhjetëra mijëra franga zvicerane. Ngjarja ndodhi të shtunën në mbrëmje, pak para orës 23:00, në rrugën kryesore në Cinuos-chel, në kantonin e Graubündenit.
Furgoni kishte tërhequr vëmendjen e patrullës policore për shkak të sjelljes së dyshimtë të personave që ndodheshin në të.
Gjatë kontrollit, policia zbuloi në hapësirën e ngarkesës një numër të madh makinerish ndërtimi. Për një kontroll më të hollësishëm, automjeti dhe tre personat u dërguan në stacionin policor të Engadinës së Epërme-Bergell, në Samedan, shkruan Blick, transmeton Telegrafi.
Hetimet zbuluan se mallrat e gjetura në furgon dyshohet se ishin vjedhur në katër raste të ndara në rajonin e Engadinës së Epërme.
Policia sekuestroi disa dhjetëra makineri ndërtimi me vlerë të lartë, si dhe dy biçikleta elektrike. Mallrat tashmë u janë kthyer gjashtë personave të dëmtuar nga vjedhjet.
Me urdhër të Prokurorisë Publike të Graubündenit, tre shtetasit rumunë, të moshës 32, 38 dhe 46 vjeç, u arrestuan përkohësisht.
Pas pagesës së një depozite dhe marrjes së një urdhri dëbimi nga Zyra e Migracionit dhe e së Drejtës Civile e Graubündenit, ata u liruan nga paraburgimi.
Sipas autoriteteve, disa prej të dyshuarve kanë pranuar përfshirjen në veprat e dyshuara. Hetimet lidhur me rastin janë zhvilluar nga autoritetet kompetente të kantonit të Graubündenit./Telegrafi/

