José Mourinho ka rikthyer vëmendjen me një batutë tipike të tij, në konferencën për shtyp para përballjes mes Romës dhe Real Madridit në Ligën e Kampionëve.
Trajneri portugez, i cili do të rikthehet në stadiumin “Olimpico” si kundërshtar i ish-skuadrës së tij, u pyet për dashurinë që tifozët e Romës vazhdojnë të kenë për të.
Një gazetar i tregoi se një taksist në kryeqytetin italian i kishte thënë se Mourinho e kishte fituar zemrën e qytetit. Përgjigjja e portugezit shkaktoi të qeshura.
“Kujdes, sepse taksistët mund të jenë edhe tifozë të Lazios”, u përgjigj me shaka Mourinho.
Më pas, ai foli me respekt për periudhën e kaluar te Roma dhe lidhjen e veçantë me tifozët verdhekuq.
“Unë jam vetvetja. Interesat e klubit, tifozëve dhe skuadrës kanë qenë gjithmonë mbi interesat e mia personale. Shpesh njerëzit e vlerësojnë këtë, sidomos kur arrin të bësh diçka të rëndësishme”, deklaroi portugezi.
Mourinho kujtoi edhe sukseset e tij me Romën, me të cilën fitoi Ligën e Konferencës në vitin 2022 dhe arriti në finalen e Ligës së Evropës në vitin 2023.
“Nuk e fituam Ligën e Kampionëve, por fituam një trofe evropian dhe luajtëm një tjetër finale. Nuk e fsheh se tifozët e Romës janë të veçantë. Më kanë trajtuar shumë mirë në vende të ndryshme gjatë karrierës sime, por këta njerëz janë specialë”, shtoi ai. /Zëri

