Papa Leo XIV është operuar me sukses në spitalin Gemelli në Romë, ku iu hoq një nodul i lokalizuar në mushkëri, njoftoi Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë.
“Operacioni përfundoi me sukses, brenda kohës së parashikuar dhe sipas planit, ndërsa Ati i Shenjtë është kthyer në dhomën e tij. Informacione të tjera do të publikohen më vonë”, thuhet në njoftimin e Vatikanit.
Papa mbërriti sot në spital përmes hyrjes kryesore dhe përshëndeti me dorë dhjetëra persona që ishin mbledhur për ta takuar. Ndërhyrja kirurgjikale u krye nga ekipi i kirurgjisë torakale të spitalit Gemelli, nën drejtimin e profesorit Stefano Margaritora.
Të gjitha audiencat e Papës janë anuluar deri më 20 tetor, në mënyrë që ai të ketë kohë të rikuperohet, raportojnë mediat.
Papa e bëri të ditur zbulimin e nodulit të dielën, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot.
“Të dashur miq, gjatë kontrolleve të fundit mjekësore, mjekët zbuluan një nodul të vogël dhe të lokalizuar në mushkëritë e mia. Ai u zbulua në një fazë shumë të hershme dhe është i lokalizuar mirë”, deklaroi ai.
Ai shtoi se mjekët e konsideruan ndërhyrjen kirurgjikale si zgjidhjen më të mirë dhe se, pas këshillave të tyre, vendosi t’i nënshtrohej operacionit.
“Ju falënderoj për afërsinë tuaj shpirtërore dhe ju kërkoj të luteni për mua”, u shpreh Papa.
“Noduli pulmonar” është një masë e vogël indi të dendur në mushkëri, e cila në shumicën e rasteve është beninje, por mund të jetë edhe malinje. Vatikani ende nuk ka publikuar rezultatet e analizave të indit të hequr gjatë operacionit. /Telegrafi/

