Aktorja Selma Blair është liruar me kusht, pasi është deklaruar e pafajshme për dy akuza për sulm të shkallës së dytë, lidhur me incidentin e ndodhur gjatë një fluturimi nga Los Angelesi drejt New Yorkut më 11 tetor.
Avokatët e saj kanë deklaruar para gjykatës se sjellja e pretenduar e aktores ishte pasojë e një gjendjeje të rëndë konfuzioni, pasi kishte humbur disa doza të ilaçeve dhe kishte pësuar një lëndim në kokë.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, Blair dyshohet se gjatë fluturimit tentoi të hapte derën e avionit si dhe sulmoi dy stjuardesa, njërën prej të cilave e kafshoi.
Selma
Pas uljes në aeroportin JFK, ajo u dërgua në spital për vlerësim mjekësor.
Gjykata caktoi një garanci prej 20 mijë dollarësh në para të gatshme ose 60 mijë dollarësh përmes një garancie tjetër, ndërsa urdhëroi gjithashtu që aktorja të mos i afrohet infermieres që dyshohet se e ka sulmuar.
Seanca e radhës është caktuar për 19 janar 2027, teksa FBI-ja po vazhdon hetimet.
Selma Blair, së cilës në vitin 2018 iu diagnostikua skleroza e shumëfishtë, ka zbuluar më vonë se vuan edhe nga distonia dhe sindroma Ehlers-Danlos.
Përfaqësuesi i saj kishte deklaruar më herët se aktorja kishte përjetuar një urgjencë mjekësore që çoi në sjelljen e pretenduar. /Telegrafi/

