Këngët e përzgjedhura do të konkurrojnë në edicionin e 65-të të Festivalit të Këngës në RTSH, i cili do të mbahet në dhjetor, ndërsa fituesi do të synojë përfaqësimin e Shqipërisë në Eurovision.
Janë përzgjedhur 28 artistët që do të garojnë në edicionin e 65-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH), përmes të cilit Shqipëria pritet të përcaktojë përfaqësuesin e saj në Eurovision 2027
Përzgjedhja vjen pas përfundimit të aplikimeve dhe vlerësimit të materialeve muzikore nga komisioni përkatës. Sipas organizatorëve, interesimi për këtë edicion ka qenë i lartë, me aplikime nga këngëtarë, kompozitorë dhe krijues të muzikës së lehtë shqiptare nga trevat shqiptare dhe diaspora.
Faza e aplikimeve u zhvillua nga 22 deri më 27 shtator, ndërsa dosjet u dorëzuan përmes formularëve online në faqen zyrtare të festivalit.
Këngët konkurruese duhet të plotësojnë disa kritere artistike dhe teknike. Ato janë të interpretuara tërësisht në gjuhën shqipe, nuk duhet të zgjasin më shumë se katër minuta dhe duhet të jenë krijime origjinale, të papublikuara më parë në platforma apo formate publike.
Rregullorja e këtij edicioni ndalon gjithashtu përdorimin e inteligjencës artificiale në çdo fazë të krijimit të këngëve. Në garë mund të marrin pjesë artistë mbi moshën 18-vjeçare, me vetëm një projekt muzikor për secilin.
Festivali i Këngës do të mbahet në muajin dhjetor dhe do të sjellë në skenë artistë të njohur, si dhe emra të rinj të muzikës shqiptare.
Përveç rëndësisë së tij në skenën muzikore shqiptare, festivali përbën edhe garën përmes së cilës Shqipëria zgjedh këngën që do ta përfaqësojë në Eurovision./Albinfo.

