Disa të rinj janë shoqëruar nga forcat e policisë, pas përshkallëzimit të protestës studentore të zhvilluar këtë të martë para Ministrisë së Arsimit.
Nga pamjet e siguruara nga A2 CNN shihen edhe disa efektivë policie të lënduar nga përleshjet, ndërsa pjesëmarrës në tubim shoqërohen.
– YouTube www.youtube.com
Protesta nisi rreth orës 14:00 dhe shumë shpejt situata u tensionua, ku drejt godinës së Ministrisë së Arsimit u hodhën bojë e zezë dhe vezë. Më pas disa të rinj shkulën pllakat e trotuarit dhe kangjellat rrethuese dhe i hodhën në drejtim të godinës, duke thyer edhe xhama. Policia u kundërpërgjigj duke hedhur gaz lotsjellës dhe duke ndërhyrë për të shpërndarë turmën.
Në një deklaratë të publikuar para nisjes së tubimit, studentët thanë se kërkojnë largimin e klasës politike 35-vjeçare, pasi, sipas tyre, nuk ka bërë asnjë hap konkret për studentët dhe arsimin.
Ata kërkojnë përmirësimin e kushteve në fakultete dhe konvikte, si dhe ndryshime në drejtimin e vendit. Protestës u janë bashkuar edhe qytetarë të grupmoshave të ndryshme, në mbështetje të kërkesave të tyre.
Krahas kërkesave për përmirësimin e infrastrukturës dhe të kushteve të jetesës, protestuesit kanë kërkuar edhe dorëheqjen e ministres së Arsimit dhe të kryeministrit Edi Rama. Gjatë protestës janë dëgjuar thirrje kundër Ministrisë së Arsimit, të cilën protestuesit e kanë cilësuar si “ministria e turpit”.
Sipas organizatorëve, tubimi synon të shprehë pakënaqësinë për çështjet që, sipas tyre, vijojnë të mbeten të pazgjidhura dhe për mungesën e reagimit nga institucionet. Përmes thirrjeve në rrjetet sociale, ata u kanë bërë apel studentëve nga qytete të ndryshme të vendit, si dhe qytetarëve, që t’i bashkohen protestës.
Megjithatë, deri në këto momente, studentët nuk kanë paraqitur një listë të detajuar me kërkesa konkrete për ndryshimet që presin në politikat arsimore. Pjesa më e madhe e protestuesve të identifikuar janë studentë të fakulteteve të Universitetit të Tiranës dhe të Universitetit Politeknik. (A2 Televizion)

