Tregjet financiare kanë treguar qëndrueshmëri që nga publikimi i Raportit të Prillit 2026 për Stabilitetin Financiar Global, por rreziqet mbeten të larta.
Kështu thuhet në një raport të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të publikuar në tetor, gjersa theksohet se tregjet kanë gjetur mbështetje te fitimet e larta të korporatave dhe rritja solide ekonomike, ndërsa investimet e mëdha në kompanitë që lidhen me inteligjencën artificiale (IA) kanë ndihmuar në kompensimin e efekteve të mundshme negative nga tensionet gjeopolitike dhe pasigurinë në politika.
“Në tërësi, kushtet financiare mbeten lehtësuese. Megjithatë, ky raport vë në pah tri rreziqe kryesore, të cilat mund të shërbejnë si shkaktarë afatshkurtër të shtrëngimit të menjëhershëm të kushteve financiare dhe të trazirave në tregje. Këto rreziqe janë përzgjedhur duke marrë parasysh gjasat që ato të shkaktojnë goditje dhe shkallën e ndikimit të mundshëm në tregje”, thuhet në këtë raport, transmeton Telegrafi.
Së pari, ndonëse kompanitë kryesore të ekosistemit të inteligjencës artificiale kanë qenë fitimprurëse deri më tani, duke zbutur presionin mbi vlerësimet e aksioneve të lidhura me IA-në, investimet më të dobëta ose më pak të qëndrueshme dhe rënia e përfitueshmërisë në këtë sektor mund të shkaktojnë korrigjim të çmimeve të aseteve të lidhura me IA.
Me këtë, FMN-ja paralajmëron se, ndonëse kompanitë kryesore të inteligjencës artificiale kanë qenë fitimprurëse deri më tani, vlera e aksioneve të tyre mund të bjerë nëse investimet në këtë sektor dobësohen ose kompanitë nuk arrijnë të realizojnë fitimet e pritshme. Meqë investitorët kanë pritshmëri të larta për zhvillimin dhe përfitueshmërinë e IA-së, çdo rezultat më i dobët se sa pritej mund të shkaktojë humbje të besimit dhe rënie të çmimeve të aksioneve të lidhura me këtë teknologji.
Së dyti, rikthimi i inflacionit ose shqetësimet fiskale mund të shkaktojnë nxisin ‘trazira’ më të gjera në tregje.
Dhe së treti, kërcënimet kibernetike përbëjnë një rrezik sistemik në rritje, pasi shërbimet financiare po bëhen gjithnjë e më digjitale dhe të ndërlidhura.
Tutje, ky raport ofron vlerësime të përditësuara për dobësitë kryesore dhe paraqet analiza të reja për rreziqet që po shfaqen.
Bilancet e qëndrueshme të bankave dhe ekonomive familjare kanë kontribuar në qëndrueshmërinë e tregjeve financiare.
“Një test global i rezistencës konfirmon se bankat do të mbeteshin përgjithësisht të qëndrueshme edhe në një skenar të pafavorshëm, që përfshin një goditje të çmimeve të energjisë, inflacion dhe rendimente më të larta të obligacioneve, si dhe një korrigjim të tregut të nxitur nga inteligjenca artificiale.
Megjithatë, një skenar i tillë do të nxirrte në pah edhe një pjesë të konsiderueshme të bankave të cenueshme”, thuhet tutje.
Barra e borxhit të ekonomive familjare është zvogëluar në vende të ndryshme gjatë viteve të fundit, ndërsa pasuria e tyre neto është rritur, duke ulur gjasat që ato të bëhen burim i rrezikut sistemik.
Megjithatë, një korrigjim i çmimeve të banesave ose aksioneve mund të frenojë konsumin familjar dhe të ndikojë në mënyrë joproporcionale te familjet me të ardhura më të ulëta.
Disa dobësi të tjera, të cilat mund t’i përforcojnë këto rreziqe, janë përkeqësuar. Kompanitë e sigurimeve dhe fondet pensionale kanë rritur zotërimet e aseteve jolikuide, duke shtuar rrezikun e mospërputhjes së likuiditetit dhe gjasat për shitje të detyruara të aseteve gjatë periudhave të tensioneve në tregje.
Kjo i bie që kompanitë e sigurimeve dhe fondet pensionale mund të përballen me vështirësi për të siguruar para të gatshme në momentin kur u nevojiten, sepse një pjesë më e madhe e parave të tyre është investuar në asete që nuk mund të shiten shpejt.
“Rritja e nivelit të borxhit të huamarrësve dhe shtimi i rreziqeve të mundshme të likuiditetit, me të cilat përballen fondet e kreditimit të drejtpërdrejtë privat, mund ta kufizojnë ndjeshëm kreditimin kur kushtet financiare shtrëngohen. Ky është një test me të cilin sektori ende nuk është përballur”, thuhet tutje.
Prioritetet e politikave ekonomike
Prioritetet e politikave ekonomike, veçanërisht në kushtet kur hapësira për mbështetje përmes politikave makroekonomike është e kufizuar, duhet të përqendrohen në qëndrueshmëri, transparencë dhe gatishmëri.
Tutje thuhet se autoritetet financiare dhe qeveritë duhet të ndërmarrin masa për të parandaluar rreziqet që mund të shkaktojnë destabilizim të tregjeve financiare.
Komunikimi i qartë për politikën monetare dhe ruajtja e pavarësisë së bankave qendrore mund të ndihmojnë në stabilizimin e pritjeve për inflacionin dhe në uljen e mëtejshme të rrezikut të rritjes së menjëhershme të interesit të obligacioneve.
Po ashtu thuhet se qëndrueshmëria ndaj sulmeve kibernetike duhet të përqendrohet në vazhdimësinë e shërbimeve, përmes forcimit të kapaciteteve kibernetike, raportimit të incidenteve, mbikëqyrjes së palëve të treta dhe testimit të qëndrueshmërisë.
Mbikëqyrësit duhet të ruajnë rezervat e kapitalit dhe likuiditetit të bankave, të monitorojnë ndërlidhjet ndërmjet ndërmjetësve financiarë jobankarë dhe të përmirësojnë mbikëqyrjen e investitorëve institucionalë dhe kreditimit privat.
Autoritetet e ekonomive në zhvillim dhe të ekonomive kufitare duhet të rindërtojnë rezervat fiskale dhe të jashtme, të ruajnë një kombinim koherent të politikave ekonomike dhe të forcojnë transparencën dhe publikimin e informacionit për marrëveshjet alternative të financimit. /Telegrafi/

