Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka marrë pjesë në ministerialin e organizuar në Luksemburg, ku Kosova zyrtarizoi bashkëpunimin me Qendrën Evropiane për Qëndrueshmëri Demokratike (ECDR).
Qendra, e themeluar nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, synon forcimin e qëndrueshmërisë demokratike dhe përballjen me kërcënimet ndaj proceseve demokratike, përfshirë manipulimin e informacionit dhe ndërhyrjet e huaja.
Zyrtarizimi i bashkëpunimit u bë në kuadër të ministerialit të organizuar nga Irlanda, e cila mban Presidencën e radhës të Këshillit të BE-së. Në takim morën pjesë ministrat e shteteve anëtare, përfaqësues të Komisionit Evropian dhe të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm, si dhe përfaqësues nga Kosova dhe vendet e tjera të rajonit.
Gjatë fjalimit të tij, Zulfaj tha se Kosova është përballur me operacione të huaja informative që, sipas tij, kanë synuar zgjedhjet demokratike dhe marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve. Ai përmendi ndikimin rus në rajon dhe përhapjen e narrativave përmes Serbisë.
“Si shoqëri e lirë dhe demokratike, me mbulim e qasje të gjerë në internet, jemi dëshmitarë të operacioneve të huaja informative që kanë targetuar zgjedhjet tona demokratike dhe marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve tona”, tha Zulfaj.
Ai përmendi mediat ruse me bazë në Beograd, përfshirë Sputnik dhe RT Balkan, si dhe Qendrën Humanitare Ruso-Serbe në Nish, për të cilën pretendoi se shërben si bazë e inteligjencës ruse.
Zulfaj iu referua edhe Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë, duke thënë se gjatë zgjedhjeve të vitit 2025 ishin identifikuar dezinformata të përhapura nga mediat shtetërore ruse me bazë në Beograd.
Kryenegociatori kritikoi gjithashtu zhvillimet e fundit politike në Serbi dhe veprimet e disa zyrtarëve serbë lidhur me Kosovën, duke i lidhur ato me vazhdimësinë e politikave të Beogradit nga vitet 1990.
“Është e çuditshme që, në ditën kur i bashkohemi kësaj Qendre, duhet të ngremë çështjen e mbrojtjes së rajonit tonë nga kërcënimet hibride të një asociuari tjetër në këtë tryezë. Megjithatë, ky është realiteti”, u shpreh ai.
Sipas Zulfajt, bashkëpunimi me ECDR-në do t’i mundësojë Kosovës të angazhohet në projekte të përbashkëta për menaxhimin e krizave, matjen e qëndrueshmërisë demokratike, shkëmbimin e metodologjive dhe standardeve, si dhe organizimin e trajnimeve.
Ai theksoi se Kosova synon të jetë kontribuuese aktive në këtë nismë, duke shfrytëzuar përvojën e saj në përballjen me ndërhyrjet e huaja dhe fushatat dezinformuese.
“Por ne nuk synojmë vetëm të marrim pjesë. Kosova do të propozojë dhe do të udhëheqë projekte të reja, sepse përvoja jonë nën presion të vazhdueshëm është e dobishme për të gjithë ne”, tha Zulfaj.
Ai falënderoi Presidencën irlandeze dhe Komisionin Evropian për përfshirjen e Kosovës në këtë bashkëpunim, duke rikujtuar se kërkesa për t’u bërë pjesë e nismës ishte paraqitur gjatë takimit të qershorit në Luksemburg.
Në qershor, Kosova ishte përfshirë në mekanizmat e Mburojës së Demokracisë Evropiane, përfshirë kanalet e paralajmërimit të hershëm, protokollet e reagimit ndaj incidenteve dhe lidhjen e verifikuesve të fakteve e studiuesve nga Kosova me Observatorin Evropian të Medieve Digjitale (EDMO).
Përmes bashkëpunimit të ri, Kosova synon të forcojë kapacitetet institucionale për identifikimin dhe trajtimin e kërcënimeve ndaj demokracisë, si dhe të ndajë përvojën e saj me shtetet anëtare të BE-së dhe vendet kandidate.

