Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar një person të dyshuar me iniciale B.T., në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Sipas njoftimit për media thuhet se rasti në fjalë ka ndodhur në rrugën ”Cen Dugolli” në Ferizaj, rreth orës 15:50:, ku, një person, i cili po kryente punime në një objekt ndërtimi, dyshohet se ka rënë nga lartësia dhe ka pësuar lëndime të rënda, si pasojë e të cilave ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
“Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar i Qendrës Emergjente në Ferizaj, kurse, me urdhëresë të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i vitkimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Prokurori i shtetit, pas daljes në vendin e ngjarjes, ka udhëzuar Policinë dhe Inspektoratin e Punës, për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes së rrethaneve të këtij rasti”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit të lartëpërmendur, brenda afatit ligjor do të vazhdoj me procedurat e mëtejme ligjore. /Telegrafi/

