Një avion i kompanisë ajrore Swiss, që po fluturonte nga Stokholmi drejt Cyrihut, bëri një ulje të paplanifikuar në Hamburg të martën në mëngjes, pas një urgjence mjekësore në bord.
Bëhet fjalë për fluturimin LX1255, me 156 persona në bord. Sipas deklaratës së Swiss, një pasagjer kishte nevojë për ndihmë mjekësore gjatë fluturimit. Për këtë arsye, ekuipazhi aktivizoi sinjalin e emergjencës, duke mundësuar uljen e avionit në Hamburg me vonesë minimale, raporton 20minuten.
Pas uljes, pasagjeri u vendos nën kujdesin mjekësor. Ndërkohë, avioni u furnizua me karburant dhe më pas vazhdoi fluturimin drejt Cyrihut.
Sipas kompanisë ajrore, avioni pritej të mbërrinte në destinacion me një vonesë prej rreth një ore e gjysmë, transmeton Telegrafi.
Swiss u kërkoi falje pasagjerëve për shqetësimin e shkaktuar, duke theksuar se mirëqenia dhe siguria e pasagjerëve dhe e ekuipazhit mbeten përparësia e saj kryesore./Telegrafi/

