Fisnik Asllani ka dhënë sinjale pozitive te Hoffenheimi, duke regjistruar një asistim në ndeshjen e tij të parë si titullar këtë edicion në Bundesligë. Sulmuesi kosovar u aktivizua nga minuta e parë në përballjen ndaj Hamburgut, por paraqitja e tij nuk mjaftoi për të shmangur humbjen 3-2.
Pas një periudhe me pak minuta te klubi gjerman, Asllani u rikthye në formacionin titullar pas grumbullimit me Kombëtaren e Kosovës për ndeshjet e Ligës së Kombeve, ku gjeti edhe rrjetën.
Ai fillimisht ishte pjesë e aksionit të golit të parë, kur u shënua autogoli, ndërsa asistoi për golin e dytë të Hoffenheimit, që e çoi rezultatin në 2-1, përpara se të zëvendësohej në minutën e 63-të.
Trajnerit i pëlqeu puna e tij
Trajneri i Hoffenheim, Christian Ilzer ka vlerësuar paraqitjet e sulmuesit në ndeshjet me Kosovën dhe punën e tij gjatë stërvitjeve pas rikthimit në klub. Sipas tij, gjendja e mirë fizike dhe angazhimi gjatë javës e bindën që ta përfshinte në formacionin fillestar.
“Ai ishte në stërvitje gjatë gjithë javës dhe u paraqit në një mënyrë të tillë që thjesht nuk kishim zgjidhje tjetër, përveçse ta vendosnim në formacionin titullar”, ka deklaruar Ilzer për “DAZN”.
Asllani kishte pasur pak hapësira te Hoffenheimi pas dështimit të transferimit te Leipzigu gjatë verës. Ai e kishte humbur një pjesë të përgatitjeve parasezonale dhe nuk kishte luajtur në ndeshjet miqësore, ndërsa në tri paraqitjet e para zyrtare për klubin kishte regjistruar vetëm 33 minuta: 18 në dy ndeshje të Bundesligës dhe 15 në një takim të Ligës së Evropës.
Trajneri i Hoffenheim, Christian Ilzer (djathtas)
Në anën tjetër, grumbullimi me Kosovën i dha mundësinë të fitonte minuta dhe ritëm garues. Asllani luajti 90 minuta ndaj Izraelit, ndërsa pati edhe paraqitje të shkurtra në ndeshjet ndaj Irlandës dhe Austrisë. Përballë austriakëve në Prishtinë, ai shënoi një gol të bukur në barazimin 1-1.
“Ai thjesht kishte nevojë për më shumë ndeshje. Ai luajti në total rreth një ndeshje e gjysmë për ekipin kombëtar të Kosovës”. Ai është në formë të shkëlqyer. Sigurisht, kjo është gjithashtu një parakusht për të qenë në formacionin titullar”, ka theksuar Ilzer.
– YouTube www.youtube.com
Asllani i zhgënjyer me rezultatin
Pas ndeshjes, Fisnik Asllani nuk e ka fshehur zhgënjimin për humbjen, sidomos për mënyrën se si Hoffenheimi e humbi epërsinë në minutat e fundit.
“Në fund të fundit, është një rezultat i keq. Sigurisht, e imagjinonim ndryshe”, ka deklaruar 24-vjeçari.
Sulmuesi kosovar ka theksuar se skuadra ishte në lojë, por golat e pësuar në fund e bënë humbjen edhe më të hidhur.
“Është padyshim shumë e vështirë, sepse ishim vërtet në lojë. Pastaj të pësosh golin për 2-2 dhe më pas atë për 2-3, është thjesht e hidhur”, ka thënë Asllani.
Fisnik Asllani, duke festuar
Ai ka përmendur edhe rrethanat që ndikuan në përfundimin e ndeshjes, përfshirë kartonin e dytë të verdhë dhe golat e vonshëm të kundërshtarit.
“Por shpesh ndodh kështu: kur gjërat nuk po shkojnë sipas dëshirës, thjesht nuk po shkojnë. Pastaj ndodhin gjëra si kartoni i dytë i verdhë, një gol i pafat dhe, në minutën e 90+4, një tjetër gol i pafat”, është shprehur ai.
Megjithatë, pavarësisht rezultatit, Asllani është ndarë i kënaqur me gjendjen e tij fizike dhe kontributin në fushë.
“Ndihem shumë mirë. Mendoj se kjo mund të shihej. Isha i përfshirë mirë në lojë dhe nisa shumë situata. Fizikisht, gjithçka është në rregull dhe personalisht ndihem shumë mirë”, ka përfunduar sulmuesi.
Asllani në aksion
Sinjali pozitiv ndaj Hamburgut
Asistimi ndaj Hamburgut është një sinjal pozitiv për Asllanin, i cili sezonin e kaluar shënoi 10 gola dhe regjistroi nëntë asistime në 33 ndeshje. Në këtë edicion, ai ka një asistim në tri paraqitje në Bundesligë.
Në përbërjen e Hoffenheimit janë edhe dy futbollistë të tjerë të Kosovës, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari. Ky
i fundit po mungon për shkak të lëndimit të pësuar gjatë grumbullimit me Kosovën. Ndërkohë, Hoffenheimi ndodhet në vendin e parafundit të Bundesligës, me vetëm 3 pikë, duke patur një start të dobët dhe golat e Asllanit i duhen shumë klubit gjerman. /Telegrafi/

