KORREKT / SOT12 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Deklarata e ashpër e komisioneres për Zgjerim, Marta Kos

Deklarata e ashpër e komisioneres për Zgjerim, Marta Kos

Shkruan: Albert Prenkaj

Deklaratat zyrtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe, së fundmi, deklarata e komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, e cila e cilësoi të papranueshëm Ligjin për Dhomat e Posaçme të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, i konsideroj si një stuhi diplomatike qortuese nga Brukseli zyrtar, të orientuar ndaj një shteti aspirant që ende nuk e ka hapur dialogun për procesin e integrimit evropian.

Mungesa e koordinimit me Brukselin në të kaluarën ka sjellë ndëshkime në formën e sanksioneve dhe të kufizimeve financiare.

Qarqer diplomatike të Brukselit e pranojnë faktin se Gjykata Speciale ka dështuar të ngrejë çështjen kryesore për të cilën është themeluar, atë të “trafikimit të organeve”. Ndërkaq, në diskursin publik, toni është, nëse mund ta quaj kështu, kërcënues. Kjo, duke pasur parasysh se BE-ja është financuesi kryesor i kësaj strukture gjyqësore, të themeluar mbi bazën e shkëmbimit të notave dhe të një ligji, i cili, pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës, mendoj se mori formën e një marrëveshjeje ndërkombëtare të njëanshme.

Mendoj se ky reagim i ashpër vjen si rezultat i këmbënguljes së palës kosovare që, në diskursin publik, ta trajtojë këtë çështje si marrëveshje ndërkombëtare. Për BE-në, përkundrazi, kjo çështje konsiderohet në kuadër të “procedurave gjyqësore të zhvendosura në territorin e një shteti anëtar”, përkatësisht në Holandë, e cila e ka njohur Kosovën.

Meqenëse dialogu është një instrument thelbësor i BE-së, që shërben për ndërtimin e konsensusit ndërmjet shteteve anëtare, partnerëve socialë dhe aktorëve ndërkombëtarë, konsideroj se, në vend të gjuhës diplomatike joproporcionale të përdorur nga nivelet e larta të Brukselit zyrtar, diskursi do të duhej të rikthehet te zanafilla e çështjes: dialogu me përfaqësuesit shtetërorë të Kosovës.

Dialogu apo negociatat duhet të çojnë drejt një ujdie për koordinimin e veprimeve të përbashkëta ndërmjet Prishtinës zyrtare dhe Brukselit, në mënyrë që plotësim – ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Posaçme të jetë në përputhje me parimin e “vendosjes së lidhjeve të ngushta të solidaritetit dhe të formave të bashkëpunimit ndërmjet palëve”.

Mendoj se BE-ja nuk do të duhej të nxjerrë përfundime dhe të mbajë qëndrime të bazuara në jehonën e deklarimeve bulevardeske, por në përmbajtjen dhe efektet juridike të ligjit në fjalë. Ky ligj, sipas vlerësimit tim, nuk ndikon në vendimin e shkallës së parë dhe as nuk paragjykon epilogun e çështjes në Gjykatën e Apelit. Ligji hyn në funksion të ruajtjes së strukturës gjyqësore me institucionet burimore- shtetërore.

Në letrën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton, (viti 2014, që i parapriu Ligjit për Dhomat e Posapme – 2015) drejtuar Presidentes Atifete Jahjaga si përgjigje ndaj letrës së kësaj të fundit, ndër të tjera, thuhet: “Përfaqësuesja e Lartë e BE-së dhe EULEX-i në Kosovë do të vazhdojnë t’i ndihmojnë institucionet, autoritetet gjyqësore dhe agjencitë e zbatimit të ligjit në forcimin e mëtejshëm të sistemit të pavarur dhe shumëetnik të drejtësisë, drejt përmbushjes së standardeve evropiane…”

Në këtë frymë është hartuar një produkt (ligji) i konsensusit politik dhe shoqëror në Kosovë, i cili, sipas mendimit tim, nuk cenon standardet e BE-së për përafrimin me acquis communautaire, si element kryesor në procesin e integrimit në BE, e që Kosova ende trajtohet si vend aspirant me perspektivë Evropiane, por jo edhe vend kandidat.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.