Çfarë mund të nisë nga një takim me partnerin e duhur? Një porosi e parë, një projekt i përbashkët apo hyrja në një treg të ri. Pjesëmarrja e kompanive si Daimler Truck, Schwarz Digits dhe shumë kompanive të tjera në German-Kosovar Economic Forum 2026 krijon mundësi për të njohur nga afër nevojat e tregut gjerman dhe për të eksploruar bashkëpunime të reja.
Përmes platformës b2match, mund të identifikoni partnerë potencialë, të dërgoni kërkesa për takime dhe të planifikoni paraprakisht biseda me interes për biznesin tuaj. Por si ta ktheni një takim të shkurtër në një mundësi konkrete bashkëpunimi? Përgatitja është hapi i parë.
Forumi do të mbahet më 28 dhe 29 tetor 2026, në Hotel Emerald në Prishtinë, duke bashkuar kompani nga Kosova dhe Gjermania për të diskutuar mundësi bashkëpunimi në shërbimet digjitale, energji, prodhim dhe fusha të tjera.
Nga takimi i rastësishëm në atë të planifikuar
Mënyra se si funksionojnë takimet B2B është e thjeshtë. Përpara ngjarjes, pjesëmarrësit krijojnë profilin e kompanisë në platformën b2match, ku prezantojnë aktivitetin e tyre, produktet ose shërbimet që ofrojnë dhe llojin e bashkëpunimit që kërkojnë.
Më pas, ata mund të shfletojnë profilet e kompanive të tjera, të dërgojnë kërkesa për takime dhe të pranojnë kërkesat që marrin. Kur të dyja palët konfirmojnë interesin, takimi caktohet në një orar dhe hapësirë të përcaktuar gjatë Forumit.
Kjo u mundëson pjesëmarrësve të përgatiten paraprakisht dhe ta shfrytëzojnë kohën për biseda që lidhen drejtpërdrejt me nevojat e biznesit të tyre.
Pse kanë rëndësi këto takime?
Për një kompani që kërkon partnerë të rinj, afërsia gjeografike, kapacitetet, cilësia dhe besueshmëria janë çështje konkrete që duhen shqyrtuar së bashku me çmimin.
Forumi u jep bizneseve kosovare mundësinë të prezantojnë kapacitetet e tyre dhe të kuptojnë më mirë kërkesat e tregut gjerman. Në të njëjtën kohë, kompanitë gjermane mund të identifikojnë furnizues dhe ofrues shërbimesh në Kosovë, të shqyrtojnë mundësitë e bashkëpunimit dhe të krijojnë marrëdhënie të reja biznesi.
Një kompani gjermane që shqyrton bashkëpunimin me një partner të ri duhet të kuptojë çfarë ofron ai, nëse ka kapacitetet e nevojshme dhe nëse i përmbush standardet e kërkuara. Po kështu, një kompani kosovare që synon të hyjë në zinxhirët gjermanë të vlerës duhet të njohë nevojat dhe kërkesat e partnerëve potencialë.
Takimet B2B mund ta bëjnë këtë fazë fillestare më efikase, duke bashkuar kompani me interesa të përbashkëta në biseda të drejtpërdrejta dhe të përgatitura paraprakisht.
Çfarë i bën takimet B2B të suksesshme?
Platforma mundëson organizimin e takimit, por rezultati varet nga ajo që ndodh para, gjatë dhe pas tij. Pesë hapa mund të bëjnë dallimin.
1. Profili juaj është prezantimi i parë
Shumë kohë përpara se të uleni përballë një partneri potencial, profili i kompanisë suaj flet në emrin tuaj.
Një pjesëmarrës që shqyrton profilet e dhjetëra kompanive mund t’i kushtojë vetëm pak sekonda secilit. Një përshkrim i përgjithshëm, si “ofrojmë zgjidhje cilësore të IT-së”, vështirë se tërheq vëmendjen. Ndërsa një profil që shpjegon qartë çfarë bëni, për kë punoni, cilat janë kapacitetet tuaja dhe çfarë përvoje keni, ka më shumë gjasa të zgjojë interes.
Jini konkretë. Prezantoni produktet ose shërbimet tuaja, sektorët ku operoni, përvojën me klientë, madhësinë e ekipit ose kapacitetin prodhues, gjuhët e punës dhe certifikimet që kanë rëndësi për fushën tuaj.
Nëse kërkoni distributor, furnizues, investitor apo partner teknologjik, shpreheni qartë.
2. Kërkoni takime me qëllim të qartë
Një numër më i vogël takimesh të përzgjedhura me kujdes, secili me një arsye konkrete për bashkëpunim, mund të jetë më i vlefshëm sesa një agjendë e mbushur me biseda pa perspektivë.
Lexoni profilet e kompanive dhe identifikoni ato, nevojat e të cilave përputhen me atë që ofroni. Më pas, dërgoni një mesazh të shkurtër dhe të personalizuar, duke shpjeguar pse takimi mund të jetë me interes për të dyja palët.
Një kërkesë e qartë e ndihmon palën tjetër të kuptojë qëllimin e takimit dhe të përgatitet për të.
3. Përgatituni për një bisedë të shkurtër, por të vlefshme
Takimet B2B zakonisht janë të shkurtra dhe zhvillohen sipas një orari të përcaktuar. Përgatitni një prezantim të qartë prej një ose dy minutash: kush jeni, çfarë bëni dhe pse mendoni se ekziston mundësia për bashkëpunim.
Më pas, dëgjoni. Shpesh, pjesa më e vlefshme e takimit është të kuptoni çfarë i nevojitet realisht palës tjetër.
Merrni me vete materialet që mund t’i kërkojë një partner potencial: një prezantim njëfaqësh të kompanisë në anglisht ose gjermanisht, shembuj të punëve të ngjashme, informacione mbi kapacitetet dhe çmimet orientuese, si dhe certifikimet ose standardet që përmbushni.
Sqaroni paraprakisht gjuhën e takimit, në mënyrë që të dyja palët të përgatiten. Nëse dikush nga ekipi juaj flet gjermanisht, përfshirja e tij mund ta lehtësojë komunikimin.
4. Kuptoni kërkesat e partnerëve potencialë
Përgatituni të jepni përgjigje konkrete për afatet, cilësinë, kapacitetet dhe mënyrën e punës së kompanisë suaj.
A mund t’i përmbushni afatet e kërkuara? Si e siguroni cilësinë? Cilat standarde përmbushni? Si i trajtoni kontratat dhe të dhënat? Këto janë çështje që mund të përcaktojnë nëse një bisedë vazhdon drejt bashkëpunimit. Çmimi ka rëndësi, por është vetëm një pjesë e vlerësimit.
Krahas takimeve B2B, shfrytëzoni masterklasat dhe sesionet praktike të Forumit për të thelluar njohuritë tuaja dhe për të përgatitur pyetje për partnerët potencialë. Konsultoni agjendën për temat dhe oraret e konfirmuara.
5. Dakordoni hapin e ardhshëm dhe mbani kontakt
Shumica e partneriteteve nuk vendosen gjatë takimit të parë. Ato ndërtohen përmes komunikimit dhe hapave që pasojnë.
Para se ta mbyllni takimin, dakordoni hapin e ardhshëm dhe një afat. Brenda pak ditësh, dërgoni një mesazh falënderimi, përmblidhni shkurt çështjet që keni diskutuar dhe konfirmoni vazhdimin: një telefonatë tjetër, një ofertë, një vizitë në kompani apo një projekt pilot.
Komunikimi i shpejtë, i qartë dhe serioz ndihmon në ndërtimin e besimit dhe në vazhdimin e marrëdhënies.
Përtej rrjetëzimit
Tema e Forumit të këtij viti është Driving the Next Economy, ndërsa programi është i organizuar rreth tri fushave kryesore: Transformimi Digjital dhe Inteligjenca Artificiale; Tranzicioni Energjetik, Industria e Gjelbër dhe Infrastruktura e Qëndrueshme; si dhe Prodhimi i Avancuar dhe Zinxhirët e Furnizimit.
Fjalimet dhe panelet do të trajtojnë drejtimet e ardhshme të bashkëpunimit ekonomik gjermano-kosovar. Takimet B2B janë hapësira ku kompanitë mund të fillojnë t’i kthejnë këto mundësi në bashkëpunime konkrete.
Përgatitja fillon tani. Plotësoni profilin e kompanisë, dërgoni kërkesa për takime me partnerët që ju interesojnë dhe përgjigjuni në kohë kërkesave që merrni.
Regjistrohuni në b2match dhe planifikoni takimet tuaja B2B.

