Një zjarr i madh ka përfshirë “Marché des Enfants Rouges” në qendër të Parisit.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për një treg historik, i cili ishte përfshirë në orët e para të së hënës.
Siç theksojnë më tej mediat, i vendosur në lagjen “Marais”, në arondismentin e tretë të kryeqytetit, tregu daton që nga viti 1615 dhe është tregu më i vjetër i mbuluar i ushqimeve në Paris.
Ai është një destinacion mjaft i pëlqyer për ushqimin e shpejtë (street food), produktet e freskëta dhe tregtarët vendas.
Rreth 150 zjarrfikës dhe rreth 50 automjete u mobilizuan për të shuar flakët, për të cilat u dha alarmi në orën 04:15 me orën lokale.
Një pjesë e strukturës metalike të tregut u shemb gjatë zjarrit. /Telegrafi/

