KORREKT / SOT12 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Ekonomi

Përplasja për avionët F-35 në Zvicër, kreu i oficerëve akuzon ish-shefin e ushtrisë Thomas Süssli

Përplasja për avionët F-35 në Zvicër, kreu i oficerëve akuzon ish-shefin e ushtrisë Thomas Süssli


Marrëveshja për blerjen e avionëve luftarakë F-35 nga SHBA-ja vazhdon të shkaktojë polemika në Zvicër.

Kreu i Shoqatës Zvicerane të Oficerëve, Michele Moor, ka vënë në pikëpyetje përgjegjësinë e ish-shefit të ushtrisë, Thomas Süssli, në çështjen e çmimit fiks, ndërsa ky i fundit i ka hedhur poshtë akuzat.

Sipas mediumit zviceran Watson, Moor ngriti pikëpyetje për atë që drejtuesit e atëhershëm të institucioneve dinin lidhur me çështjen e çmimit fiks në kohën kur u larguan nga detyra.

Në një shkrim të publikuar në revistën ushtarake zvicerane, ai argumentoi se përgjegjësia e Süsslit nuk mund të anashkalohet vetëm me arsyetimin se udhëheqja e ushtrisë nuk ishte drejtpërdrejt e përfshirë në negociatat kontraktuale.

Për këto akuza, ka reaguar ish-shefi i ushtrisë, i cili tha se lidhjet që po bëhen mes largimit të tij nga detyra dhe çështjes së çmimit fiks, janë të pasakta, transmeton Telegrafi.

Süssli theksoi se, sipas raportit të Komisionit të Kontrollit të Parlamentit zviceran, udhëheqja e ushtrisë nuk ishte e përfshirë në negociatat për kontratën e avionëve.

Ai gjithashtu deklaroi se dorëheqjen e kishte paraqitur me shkrim gati katër javë përpara 24 shkurtit 2025, kur autoritetet amerikane e cilësuan për herë të parë çështjen e çmimit fiks si një “keqkuptim”.

Süssli shtoi se ishte përfshirë në mbikëqyrjen e programit të prokurimit vetëm në fillim të vitit 2024, kur negociatat kontraktuale tashmë kishin përfunduar.

Mirëpo, me këto deklarata nuk është pajtuar Moor, pasi, nuk është bindur totalisht nga shpjegimet e ish-shefit të ushtrisë. Ai deklaroi se Süssli, si drejtues i atëhershëm i ushtrisë, nuk mund të shmangë plotësisht përgjegjësinë për atë që ndodhi.

“Po të mos kishte ditur asgjë për problemet rreth çmimit fiks, kjo do të ishte një katastrofë në Departamentin e Mbrojtjes. Nëse kishte dijeni, atëherë nuk përputhet ajo që ka shkruar”, argumentoi Moor.

Përplasja mes tyre ka nxitur debat edhe për rolin e mundshëm të Süsslit në politikë. Ai është anëtarësuar në FDP dhe synon të kandidojë për Këshillin Kombëtar të Zvicrës në zgjedhjet e vitit 2027, në kantonin e Lucernit.

Disa deputetë kanë shprehur rezerva për mundësinë që ai, nëse zgjidhet, të angazhohet në komisionin parlamentar për sigurinë, për shkak të rrezikut të konflikteve të mundshme të interesit.

Polemika lidhet me blerjen e avionëve luftarakë F-35A nga SHBA-ja.

Autoritetet zvicerane kishin komunikuar se marrëveshja parashikonte një çmim fiks, por më vonë u bë e qartë se SHBA-ja nuk ishte e gatshme ta garantonte atë në mënyrën e paraqitur fillimisht.

Një raport parlamentar ka kritikuar mënyrën se si u menaxhua prokurimi dhe komunikimi rreth çmimit, duke ngritur pikëpyetje për transparencën dhe mbikëqyrjen e procesit.

Çështja vazhdon të shkaktojë reagime në Zvicër, ndërsa autoritetet përballen me presion për të sqaruar përgjegjësitë dhe për të nxjerrë mësime nga ky proces i diskutueshëm i prokurimit ushtarak./Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.