Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar mbi të dhënat e fundit në lidhje me shpërndarjen e fruthit në vendin tonë.
IKSHPK ka thënë se se vaksinimi mbetet masa më e rëndësishme, më e sigurt dhe më efikase për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe të gjithë komunitetit.
Sipas të dhënave të IKShPK, gjatë periudhës 16 prill – 11 tetor 2026 janë konfirmuar 203 raste me fruth, prej të cilave 17 raste janë regjistruar gjatë javës së fundit. Mbi 95% e rasteve të konfirmuara me fruth i përkasin personave të pavaksinuar me vaksinën MMR, gjë që dëshmon qartë rolin e këtij procesi në parandalimin e sëmundjes.
Për këtë arsye, krahas vaksinimit të rregullt sipas kalendarit kombëtar, IKShPK ka intensifikuar edhe vaksinimin e vonuar (catch-up), për fëmijët që për arsye të ndryshme e kanë shtyrë atë. Si rezultat i kësaj fushate, gjatë këtij viti janë vaksinuar mbi 3,265 fëmijë të grupmoshës 2–5 vjeç, duke konfirmuar ndërgjegjësimin e lartë dhe angazhimin e prindërve për të siguruar shëndetin e fëmijëve të tyre.
IKShPK vlerëson lart kontributin e prindërve, profesionistëve shëndetësorë, institucioneve dhe qytetarëve për rritjen e shkallës së vaksinimit. Çdo fëmijë i vaksinuar është një jetë më shumë e mbrojtur dhe një hap më afër ndërprerjes definitive të përhapjes së fruthit.
“Vaksinimi i rregullt + catch-up = më shumë fëmijë të mbrojtur”./Lajmi.net/


