Apple pritet të prezantojë nesër pajisjen e shumëpritur për kontrollin e shtëpisë inteligjente, e cila sipas raportimeve do të quhet HomeView.
Detaje të reja për produktin dhe pajisjet e tjera që mund ta shoqërojnë lansimin janë publikuar në buletinin PowerOn të Mark Gurman nga Bloomberg.
HomeView pritet të vijë në dy versione. Modeli standard, i projektuar për t’u vendosur mbi tavolinë ose banak, do të ketë një bazë metalike me altoparlant dhe do të ofrohet në katër ngjyra: gri hapësinore, argjendtë, starlight dhe rozë.
Apple thuhet se do të prezantojë edhe një version që montohet në mur, i cili do të jetë në dispozicion vetëm në ngjyrat gri hapësinore dhe argjendtë, transmeton Telegrafi.
Të dy versionet pritet të përdorin çipin A18 të Apple, të njëjtin procesor që gjendet në iPhone 16, iPhone 16 Plus dhe iPhone 16e. Sipas raportimeve të mëparshme, pajisja do të ketë një ekran me prekje prej gjashtë inçësh.
HomeView pritet të mbështesë një numër të kufizuar aplikacionesh të vetë Apple, por nuk do të ketë App Store për shkarkimin e aplikacioneve shtesë. Kompania thuhet se planifikon ta nxjerrë pajisjen në shitje në mesin e nëntorit.
Krahas HomeView, Apple pritet të prezantojë edhe një version të përditësuar të altoparlantit inteligjent HomePod mini, i cili do të përdorë çipin S10. Ky procesor është përdorur në Apple Watch Series 10, Series 11, Watch SE 3 dhe Watch Ultra 3.
HomePod mini i ri pritet të ofrohet në ngjyrat rozë, të bardhë, të gjelbër, blu dhe midnight.
Në listën e produkteve të reja përfshihet edhe një version i përditësuar i pajisjes Apple TV për transmetimin e përmbajtjeve, i cili thuhet se do të pajiset me çipin A19.
Telekomanda e re pritet të ketë një altoparlant të integruar, një veçori që mund ta lehtësojë gjetjen e saj kur humbet në shtëpi.
Sipas raportimeve, HomePod mini i ri dhe Apple TV i përditësuar pritet të dalin në shitje më 30 tetor, ndërsa HomeView do të pasojë në mesin e nëntorit.
Apple ende nuk i ka konfirmuar zyrtarisht këto specifikime dhe data, ndaj detajet përfundimtare pritet të bëhen të ditura gjatë prezantimit. /Telegrafi/

