Policia e Kosovës ka shqiptuar gjoba ndaj dy shoferëve që janë kapur duke tejkaluar dukshëm kufizimin e shpejtësisë në rrugën Prishtinë–Pejë, në fshatin Qyshk.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti i parë është regjistruar më 10 tetor 2026, kur një shofer, në zonën ku kufizimi i shpejtësisë është 60 km/h, është kapur duke vozitur me 164 km/h. Shpejtësia është matur me radar laser.
Për këtë kundërvajtje, shoferit i është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh, pesë pikë negative dhe masë mbrojtëse me ndalim të drejtimit të automjetit për gjashtë muaj.
Ndërkaq, më 11 tetor, në të njëjtin segment rrugor, një shofer tjetër është kapur duke vozitur me 140 km/h, po ashtu në zonën me kufizim prej 60 km/h.
Policia ka bërë të ditur se ky shofer kishte ndalesë për drejtimin e automjetit deri më 18 nëntor 2026. Atij i është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh, pesë pikë negative dhe masë mbrojtëse me ndalim të drejtimit për gjashtë muaj, si dhe i është sekuestruar automjeti.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka njoftuar se do të vazhdojë aktivitetet në terren me qëllim të parandalimit të aksidenteve, duke theksuar se do të ketë zero tolerancë ndaj shkelësve të rregullave të trafikut. /Telegrafi/

