Të paktën 12 persona, përfshirë tre fëmijë, janë vrarë nga sulmi rus gjatë natës në qytetin e Zaporizhzhias, në juglindje të Ukrainës. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi se 14 persona të tjerë janë plagosur, ndërsa dy prej tyre ndodhen në gjendje kritike.
Në një reagim në rrjetet sociale, Zelensky tha se sulmi dëshmon edhe një herë se Rusia e interpreton çdo lehtësim të presionit si mundësi për të vazhduar luftën dhe bombardimet ndaj qyteteve ukrainase, transmeton Telegrafi.
“Ngjarjet e natës së kaluar konfirmuan edhe një herë se në Rusi, çdo lehtësim i presionit kuptohet si një mundësi për të vazhduar luftimet dhe për të hedhur bomba mbi qytete”, shkroi ai.
Sipas presidentit ukrainas, nevojiten sinjale të tjera që Moska ta kuptojë se duhet t’i japë fund luftës. Ai theksoi se Rusia duhet të ndiejë pasojat dhe humbjet e shkaktuara nga agresioni i saj.
Zelenskyy nënvizoi se aftësitë e Ukrainës për të goditur objektiva në distanca të largëta po luajnë rol kyç në këtë drejtim dhe paralajmëroi se Kievi do t’u përgjigjet sulmeve ruse.
“Rusia duhet ta kuptojë se duhet ta ndalë luftën dhe, që kjo të ndodhë, duhet t’i ndiejë humbjet e saj. Aktualisht, janë aftësitë tona për goditje në distanca të largëta ato që po e sigurojnë këtë. Ne do t’u përgjigjemi sulmeve ruse”, deklaroi ai. /Telegrafi/