Frenkie De Jong mund të rikthehet në skuadrën e Barcelonës për ndeshjet në javën e fundit të tetorit, sipas Catalunya Radio.
De Jong nuk pritet të jetë i gatshëm për El Clasicon e parë të sezonit ndaj Real Madridit më 25 tetor.
Në vend të kësaj, raportimi sugjeron se mesfushori holandez mund të marrë minutat e tij të para të sezonit ndaj Deportivo Alaves më 31 tetor, me kusht që rikuperimi i tij të vijojë pa pengesa.
29-vjeçari ka ndjekur një program trajtimi konservativ, pasi vendosi të mos i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale për dëmtimin e tij. Ai ka kaluar disa javë duke punuar individualisht në fushë, përpara se këtë javë të rikthehej gradualisht në disa pjesë të stërvitjeve në grup me bashkëlojtarët.
De Jong tani do të vazhdojë të rrisë intensitetin e punës, përpara se të rikthehet përfundimisht në stërvitje të plota. Barcelona nuk dëshiron të marrë rreziqe të panevojshme me rikuperimin e tij, ndaj rikthimi i mesfushorit do të varet nga mënyra se si do të reagojë gjuri i tij gjatë javëve në vijim.
Vendimi i De Jong për të shmangur operacionin kishte shkaktuar më herët tensione me klubin, pasi Barcelona e kishte këshilluar atë që t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Raporti shpjegon gjithashtu arsyen pse Barcelona kishte insistuar për operacionin.
Sipas raportimit, De Jong e kishte nisur trajtimin disa ditë pasi pësoi dëmtimin, pasi pas përfundimit të Kupës së Botës kishte shkuar me pushime me familjen e tij, në vend që të rikthehej menjëherë në Barcelonë./Telegrafi/