Të paktën 30 mijë shishe verë, me vlerë të përgjithshme prej rreth 5 milionë eurosh, janë vjedhur nga një prej kantinave më të njohura të verës në Itali, Marchesi Antinori, raportojnë mediat italiane.
Vjedhja ndodhi të shtunën në një objekt magazinimi në Toskanë, pikërisht në kohën kur kompania po përgatitej të dërgonte një ngarkesë te klientët jashtë vendit, transmeton Telegrafi.
Sipas raportimeve, të paktën shtatë persona të maskuar dyshohet se çaktivizuan sistemin e alarmit, ndërprenë funksionimin e kamerave të sigurisë dhe përdorën pirunët ngritës të kompanisë për të ngarkuar dy kamionë të mëdhenj me verërat e saj më të çmuara. Mes shisheve të vjedhura ishin markat Tignanello, Solaia dhe Guado al Tasso, të njohura për verërat e kuqe të Toskanës.
Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Renzo Cotarella, i tha gazetës Corriere della Sera se bëhet fjalë për vjedhjen më të madhe të këtij lloji të regjistruar ndonjëherë në Itali.
“Një vjedhje e kësaj përmase dhe me këtë vlerë nuk ka ndodhur kurrë më parë në Itali”, deklaroi ai.
Cotarella tha se shpreson që autoritetet të arrijnë të gjurmojnë ngarkesën e vjedhur dhe të rikuperojnë të paktën një pjesë të shisheve.
“Dy kamionë të mbushur me mall nuk mund të zhduken thjesht pa lënë gjurmë. Rrugët e Toskanës janë të mbushura me kamera dhe, ndoshta me pak fat, do të arrijmë të rikuperojmë të paktën disa nga shishet e vjedhura”, u shpreh ai.
Në një deklaratë për Financial Times, drejtori ekzekutiv ngriti pikëpyetje edhe për mënyrën se si hajdutët mund ta shesin një sasi kaq të madhe vere në tregjet ndërkombëtare pa tërhequr vëmendjen.
Shishet e vjedhura zakonisht shiten me çmime nga 150 deri në 500 euro secila. Përzgjedhja e verërave dhe vlera e lartë e ngarkesës kanë bërë që kompania të dyshojë se autorët kishin njohuri të specializuara për verën dhe informacion paraprak për objektin dhe produktet që ruheshin aty.
Vjedhja u zbulua vetëm të hënën në mëngjes, kur punonjësit mbërritën në objekt. Deri tani nuk është raportuar për arrestime.
Marchesi Antinori është themeluar në vitin 1385 dhe konsiderohet një nga bizneset më të mëdha familjare të verës në Itali. Kompania eksporton produktet e saj në 170 shtete dhe vitin e kaluar regjistroi të ardhura prej 263 milionë eurosh.
Rasti vjen në një kohë kur Italia është përballur me një seri vjedhjesh të verërave gjatë këtij viti. Në rajonin verior të Piemontes janë raportuar dy raste të tjera, ku janë vjedhur shishe me vlerë prej qindra mijëra eurosh. /Telegrafi/