Gjyqtari i Superligës së Kosovës, Lirim Jashari, është emocionuar deri në lot teksa ka rrëfyer momentin kur u bë viral gjatë protestave në Prishtinë, ku protestuesit kërkuan votimin e ndryshimeve për Ligjin e Speciales.
Jashari, në emisionin “DPT te Fidani”, ka treguar më në detaje se si kishte ndodhur skena kur ai mori flamurin e UÇK-së nga duart e një të riu dhe iu afrua Policisë, në përpjekje për t’u treguar se ndaj kujt po gjuanin.
Ai ka rrëfyer se gjithçka kishte ndodhur pasi protestuesit ishin kthyer dhe ishin grumbulluar në Sheshin “Skënderbeu”, pas përleshjeve dhe tensioneve që kishin ndodhur gjatë protestës.
“Gjithçka filloi kur ne u kthyem dhe u grumbulluam te Sheshi ‘Skënderbeu’, pas gjithë atyre skenave që ndodhën. Në momentin kur Çlirim Haziri, organizatori ynë, e ka marrë fjalën dhe ka filluar realisht ta përmbyllë protestën, për shkak se situata eskaloi dhe nuk mbeti më asgjë përpos sulmeve të Policisë ndaj nesh, ka ardhur nëna e Çlirimit aty. Kur e pashë gjendjen fizike të Çlirimit dhe mënyrën se si e përjetoi ajo, u mërzita shumë”.
Sipas tij, situata u tensionua edhe më shumë kur Policia filloi të përdorte gaz lotsjellës ndaj turmës.
“Filloi Policia të hedhë gaz lotsjellës në mes të turmës, u kthyem krejt prapa dhe në atë moment e kam parë një djalë të ri me flamur, Granit Zogjani, djali i një dëshmori. U ndala për një moment dhe mendova: ndaj kujt po gjuajnë?”, rrëfeu ai.
Jashari më pas ka treguar se, pavarësisht rrezikut, vendosi t’ia merrte flamurin të riut dhe t’i afrohej Policisë.
“Edhe pse e mendova rrezikun, e vendosa me ia kap flamurin atij djalit edhe me iu afrua policëve dhe me iu tregu se ndaj kujt janë duke gjuajtur”.
Jashari ka treguar se në atë moment ishte goditur, për çka pretendon se kishte pësuar lëndim dhe thyerje të këmbës.
Duke e kujtuar gjithë ngjarjen, gjyqtari i Superligës u përlot dhe tha se ajo që e kishte prekur më së shumti ishte pamja e fëmijëve të dëshmorëve duke u sulmuar.
“U emocionova shumë kur i pashë fëmijët e dëshmorëve duke u sulmuar në atë mënyrë”, u shpreh Jashari mes lotësh./Telegrafi/