Komisioni Evropian ka propozuar reforma të rëndësishme në mënyrën se si funksionon Bashkimi Evropian, përfshirë zvogëlimin e numrit të komisionerëve dhe kufizimin e vendimmarrjes me unanimitet, me synimin për ta përgatitur BE-në për një zgjerim me 30 ose më shumë shtete anëtare.
Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, tha se vlerësimi i Komisionit tregon se BE-ja është kryesisht e gatshme për zgjerim të ardhshëm.
“Pyetja kryesore ka qenë nëse BE-ja është e përshtatshme për një zgjerim tjetër. Përgjigjja është e qartë: po, një zgjerim i ardhshëm është i mundur”, tha Kos.
Më pak vendime me unanimitet
Komisioni propozon identifikimin e fushave ku mund të përdoren të ashtuquajturat klauzola passerelle, të cilat mundësojnë kalimin nga vendimmarrja me unanimitet në votimin me shumicë të cilësuar.
Megjithatë, aktivizimi i këtyre klauzolave kërkon vetë unanimitet, raporton euronews.
Kos tha se Komisioni dëshiron që vendimmarrja të bëhet më efikase dhe që shumica e cilësuar të përdoret më shpesh, veçanërisht në procesin e anëtarësimit të vendeve kandidate.
Aktualisht, unanimiteti kërkohet për t’i dhënë një vendi statusin e kandidatit dhe për të përfunduar negociatat. Ndërkohë, në fazat ndërmjetëse, secili shtet anëtar mund të vendosë veto në rreth 150 hapa të procesit.
Komisioni propozon gjithashtu përdorimin më të madh të bashkëpunimit të zgjeruar, që u mundëson të paktën nëntë vendeve anëtare të thellojnë integrimin në fusha të caktuara kur nuk arrihet marrëveshje në nivelin e gjithë BE-së.
Jo më nga një komisioner për çdo shtet
Një tjetër propozim i rëndësishëm është heqja e parimit që çdo shtet anëtar të ketë një komisioner të përhershëm në Komisionin Evropian.
Sipas Traktatit të Lisbonës, Komisioni do të duhej të kishte një numër anëtarësh të barabartë me dy të tretat e numrit të shteteve anëtare, të zgjedhur përmes një sistemi rotacioni. Megjithatë, ky sistem nuk është zbatuar dhe që nga viti 2013 çdo shtet anëtar vazhdon të ketë nga një komisioner.
Ky propozim mund të hasë në kundërshtime, veçanërisht nga shtetet më të vogla, të cilat shqetësohen se zëri i tyre në Bruksel mund të dobësohet. Edhe shtetet e mëdha, si Franca dhe Gjermania, mund të mbeten jashtë Komisionit në një sistem rotacioni.
Kryeqytetet skeptike
Propozimet që lidhen kryesisht me vendet kandidate, si masat mbrojtëse kundër largimit nga standardet demokratike dhe integrimi gradual, pritet të hasin më pak rezistencë.
Megjithatë, katër diplomatë të BE-së i thanë Euronews-it në kushte anonimiteti se reformat e brendshme të propozuara nga Komisioni nuk kanë gjasa të marrin mbështetje të gjerë nga shtetet anëtare.
Testi i parë politik për këto propozime pritet të jetë javën e ardhshme, kur reformat për zgjerimin do të diskutohen nga liderët e BE-së në Këshillin Evropian, më 15 dhe 16 tetor. /Telegrafi/