Sot, më 6 tetor, skadon afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.
Afati 60-ditor ka nisur më 8 gusht dhe përfundon sot, ndërsa ende nuk ka ndonjë marrëveshje që siguron votat e nevojshme për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Moszgjedhja e Presidentit brenda këtij afati hap rrugën për shpërndarjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Sipas aktgjykimit të plotë të Kushtetueses, në këtë rast zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Dita e sotme vjen pas një serie takimesh ndërmjet liderëve politikë, të cilët kanë zhvilluar konsultime për të gjetur një marrëveshje rreth kandidaturës për President.
Ndërkohë, çështja e zgjedhjes së Presidentit mbetet e lidhur drejtpërdrejt me vazhdimin e funksionimit të institucioneve aktuale.
Nëse Kuvendi nuk arrin ta përmbyllë procesin sot, Kosova do të përballet sërish me një proces zgjedhor parlamentar, pavarësisht faktit se Kuvendi dhe Qeveria tashmë janë konstituuar.