Gjermania planifikon të ndërtojë një bazë të re detare në qytetin Emden, në veriperëndim të vendit, mes përkeqësimit të situatës ndërkombëtare të sigurisë, njoftoi ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius.
“Kjo është e rëndësishme për ne, sepse do të jetë një bazë e madhe detare”, tha Pistorius gjatë një ceremonie në Emden, ku zyrtarë të lartë nënshkruan një letër qëllimi për bazën.
“Prej këtu mund të arrijmë shpejt në Atlantikun e Veriut dhe Detin e Veriut. Vendndodhja strategjike është gjithashtu vendimtare, veçanërisht në lidhje me aleatët tanë të NATO-s, zonat tona të përbashkëta të trajnimit dhe operacioneve, si dhe aktivitetet e përbashkëta të trajnimit”, shtoi ai.
Baza e re do të jetë baza e pestë kryesore detare e Gjermanisë dhe pritet të lehtësojë ngarkesën e bazës në Wilhelmshaven, e cila aktualisht është pika më e rëndësishme e marinës në Detin e Veriut.
Burime nga Ministria e Mbrojtjes thanë se Wilhelmshaven do të mbetet qendrore, ndërsa baza në Emden do ta plotësojë atë.
Pistorius tha se Gjermania ka vendosur të zgjerojë marinën e saj në përgjigje të kërcënimeve në rritje ndërkombëtare dhe përkeqësimit të situatës së sigurisë, si dhe për të përmbushur angazhimet e saj për parandalimin e NATO-s.
“Aktualisht kemi marinën më të vogël në historinë e Bundeswehr-it dhe në të njëjtën kohë grupin më të madh dhe më të gjerë të detyrave. Prandaj marina duhet të rritet dhe do të rritet”, tha ai.
“Duke pasur parasysh situatën aktuale ndërkombëtare të sigurisë, veçanërisht në lidhje me Detin Baltik, por mbi të gjitha me Detin e Veriut dhe Atlantikun e Veriut, kjo është e një rëndësie vendimtare, sepse përmes saj rrisim parandalimin e Gjermanisë dhe NATO-s”, tha ai.
Baza e planifikuar detare pritet të jetë një investim me vlerë disa miliardë euro, sipas raportimeve të mediave.
Ajo pritet të arrijë gatishmërinë e plotë operacionale në vitin 2030 dhe në këtë lokacion mund të vendosen përfundimisht deri në 2.000 pjesëtarë të personelit ushtarak dhe civil. /AA/