Shqipëria ka pësuar humbje me rezultat 2-1 në udhëtim ndaj Finlandës, në kuadër të Ligës së Kombeve, në një ndeshje ku kuqezinjtë e nisën në mënyrën më të mirë të mundshme, por kartoni i kuq i Etrit Berishës ndikoi dukshëm në rrjedhën e takimit.
Skuadra e drejtuar nga Ronaldo Mara e nisi furishëm përballjen, duke kaluar në epërsi që në minutën e katërt. Rey Manaj shënoi me kokë për 1-0 pas një harkimi të saktë të Kristjan Asllanit nga këndorja, duke i dhënë Shqipërisë avantazhin e hershëm.
Megjithatë, ndeshja mori një rrjedhë tjetër në minutën e 22-të, kur portieri Etrit Berisha u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje jashtë zonës. Kuqezinjtë mbetën kështu me një lojtar më pak për pjesën e mbetur të takimit.
Finlanda e shfrytëzoi këtë situatë dhe arriti të barazojë rezultatin nga goditja e dënimit që pasoi ndërhyrjen e Berishës. Leo Walta realizoi me një goditje të fuqishme, duke mposhtur Alen Sherrin, i cili u inkuadrua në lojë në vend të Arbër Hoxhës.
Pavarësisht disavantazhit numerik, Shqipëria arriti ta ruante baraspeshën deri në fund të pjesës së parë, duke shkuar në pushim me rezultatin 1-1.
Në pjesën e dytë, vendasit vazhduan të ushtronin presion, duke shfrytëzuar epërsinë numerike, ndërsa kuqezinjtë u përqendruan në mbrojtjen e rezultatit dhe kërkimin e mundësive për kundërsulme.
Rezistenca e Shqipërisë u thye në minutën e 71-të, kur Leo Walta realizoi golin e dytë personal me një tjetër goditje të bukur dënimi, duke i dhënë Finlandës epërsinë 2-1.
Deri në përfundim të takimit, Shqipëria nuk arriti të gjente golin e barazimit dhe u detyrua të pajtohej me humbjen në këtë udhëtim.
Ky rezultat bën që kuqezinjtë të zbresin në pozitën e dytë në grup me gjashtë pikë, ndërsa Finlanda merr kreun me shtatë pikë./Telegrafi/