Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Shqipëria dhe Mali i Zi janë aktualisht vendet që kanë bërë më shumë përparim në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Pas tyre renditen Moldavia dhe Ukraina, ndërsa Bosnjë-Hercegovina, Kosova dhe Maqedonia e Veriut ndodhen në faza më të hershme. Serbia mbetet një rast i veçantë.
Kos tha se ekziston një “dritare mundësie” për zgjerimin e BE-së dhe se vendet kandidate duhet të përmbushin reformat dhe kriteret e kërkuara. Ajo vlerësoi se Mali i Zi mund t’i përmbushë kriteret deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.
“Ky është “muri im i zgjerimit”: kemi grupin kryesor të vendeve, me Malin e Zi dhe Shqipërinë, të ndjekura nga Moldavia dhe Ukraina. Në mes, nuk kemi filluar ende me Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, dhe pastaj është rasti i Serbisë. Këtë vit, po arrijmë më shumë në zgjerim sesa në 25 vitet e fundit” shprehet ajo.
Për Ukrainën, Kos tha se anëtarësimi deri më 1 janar 2027 nuk është i realizueshëm, ndërsa theksoi se procesi duhet të bazohet te meritat dhe kriteret. Ajo kritikoi gjithashtu Serbinë për glorifikimin e kriminelëve të luftës dhe mohimin e gjenocidit, duke kërkuar që Beogradi ta dëshmojë me vepra angazhimin për BE-në.
Kos nënvizoi edhe rëndësinë e mbështetjes së Italisë për zgjerimin dhe tha se BE-ja duhet të reformojë mënyrën e vendimmarrjes për t’u përgatitur për një zgjerim me më shumë vende anëtare.