Një zjarr i madh ka përfshirë një ndërtesë historike në qendër të Shën Petersburgut, në Rusi, në të njëjtën kohë kur presidenti rus Vladimir Putin po mbante fjalim në takimin vjetor të Klubit të Diskutimeve Valdai.
Zjarri shpërtheu në një ndërtesë katërkatëshe në Sheshin e Shën Isakut, përballë katedrales së njohur me të njëjtin emër. Flakët përfshinë të gjitha katet e ndërtesës dhe një sipërfaqe prej rreth 2 mijë metrash katrorë.
Në operacionin për shuarjen e zjarrit u angazhuan 125 zjarrfikës dhe 25 automjete. Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar.
Bëhet fjalë për pallatin historik Miller, i cili daton nga gjysma e dytë e shekullit XVIII dhe është i mbrojtur si trashëgimi kulturore. Ndërtesa u rikonstruktua në vitet 1879 dhe 1880.
Autoritetet paralajmëruan se ekzistonte rreziku që flakët të përhapeshin edhe në ndërtesat përreth. Për shkak të ndërhyrjes së ekipeve të emergjencës, në qendër të qytetit u krijuan edhe probleme të mëdha në qarkullim.
Shkaku i zjarrit ende nuk është bërë i ditur. Prokuroria ka nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e incidentit.
Zjarri ra në të njëjtën kohë kur Putin po fliste në Valdai, ku diskutoi luftën në Ukrainë, marrëdhëniet me Perëndimin dhe situatën e sigurisë në Evropë.
Deri më tani nuk ka të dhëna që zjarri të ketë qenë i qëllimshëm apo i lidhur me fjalimin e presidentit rus. /Telegrafi/