Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka folur për Klan Kosovën pas barazimit ndaj Izraelit në kuadër të Ligës së Kombeve, duke pranuar se skuadra kishte disa të meta në lojë, por në përgjithësi u shpreh i kënaqur me paraqitjen e “Dardanëve”.
Foda theksoi se Kosova është në një proces ku po mendon edhe për të ardhmen, pasi objektivi kryesor është kualifikimi në Kampionatin Evropian, ndërsa kjo ishte edhe arsyeja pse vendosi t’u japë mundësi disa futbollistëve të rinj.
“Ne jemi në Ligën e Kombeve dhe çdo herë e kam thënë se vitin e ardhshëm e kemi synim kualifikimin në Kampionatin Evropian. Për këtë arsye kam vendosur të prezantoj fytyra të reja. Djemtë e kanë bërë punën e tyre”, deklaroi fillimisht Foda.
Përzgjedhësi gjerman e vlerësoi si të vështirë përballjen me Izraelin, duke marrë parasysh edhe faktin se shumë prej lojtarëve që nisën ndeshjen nuk kishin luajtur më parë së bashku në këtë formacion.
“Ka qenë një ndeshje mjaft e fortë kundër një ekipi teknikisht të fuqishëm. Ky konstalacion i skuadrës nuk ka luajtur kurrë bashkë dhe, marrë në përgjithësi, duhet të jemi të kënaqur me një barazim”, përfundoi Foda.
2024/02/foda.jpg telegrafi.com
Kosova kështu e vazhdon rrugëtimin në Ligën e Kombeve, ndërsa ndeshja e radhës do të jetë sërish ndaj Austrisë, këtë herë në Prishtinë. Para kësaj sfide, “Dardanët” kishin fituar 1-0 ndaj Irlandës dhe kishin humbur 3-1 nga Austria. /Telegrafi/