Pentagoni ka lënë jashtë Britaninë e Madhe, Francën dhe vendet baltike nga një takim për të ardhmen e NATO-s që pritet të mbahet në Poloni muajin e ardhshëm.
Sipas gjashtë diplomatëve të njohur me përgatitjet, takimi do të zhvillohet në formën e një grupi pune dhe synon të hartojë propozime për të ardhmen e aleancës, raportoi politico.
Vendimi ka shkaktuar shqetësim te disa aleatë, veçanërisht për shkak se vendet e lëna jashtë janë ndër kontribuuesit e rëndësishëm ushtarakë të NATO-s. Disa prej tyre kanë përmbushur ose tejkaluar objektivat për shpenzimet e mbrojtjes të kërkuara nga Uashingtoni.
Nismën po e drejton Elbridge Colby, zyrtari përgjegjës për politikat në Pentagon. Zyrtarë nga vendet e përjashtuara kanë thënë se nuk kanë marrë shpjegime të qarta për kriteret e pjesëmarrjes apo mandatin e grupit.
“Ne po bëjmë gjithçka që po kërkohet nga ne”, tha një zyrtar i njërit prej vendeve të përjashtuara.
Grupi, i njohur si “Grupi i Bergenit”, përfshin Norvegjinë, Suedinë, Finlandën, Poloninë, Gjermaninë dhe Holandën. Takimi i parë u zhvillua në qytetin norvegjez Bergen në qershor.
Sipas një diplomati nga një vend pjesëmarrës, grupi synon të përgatisë propozime që më pas do të shqyrtohen nga aleanca më e gjerë. Anëtarët e tij mohojnë se formati ka për qëllim ndarjen e NATO-s.
Colby ka thënë se pjesëmarrja lidhet me përparimin drejt objektivave të shpenzimeve të NATO-s të dakorduara në Hagë, kapacitetin për të kontribuar dhe gatishmërinë për të ndërmarrë punë konkrete.
Ndërkohë, diplomatët kanë shprehur shqetësim se përzgjedhja e aleatëve sipas preferencave të Uashingtonit mund të thellojë ndarjet brenda NATO-s, në një kohë kur aleanca përballet me kërcënimin rus dhe rezervat e kufizuara të armatimit.
Mosmarrëveshja vjen gjithashtu pas diskutimeve brenda administratës amerikane për trajtimin preferencial të aleatëve që mbështesin prioritetet e presidentit amerikan, Donald Trump. /Telegrafi/