Autoritetet finlandeze kanë nisur hetimet për një numër të konsiderueshëm hyrjesh të dyshuara dhe tentativash për depërtim në banesat e disa deputetëve, ndërsa policia e Helsinkit ka konfirmuar se ka hapur një hetim paraprak.
Kryetari i Parlamentit finlandez, Jussi Halla-aho, tha se institucioni është njoftuar për një numër “të konsiderueshëm” rastesh, por nuk dha një shifër të saktë.
Sipas tij, incidentet dyshohet se kanë ndodhur gjatë një periudhe të gjatë kohore, ndërsa rasti i parë besohet të jetë regjistruar rreth një vit më parë.
“Për momentin nuk kemi informacion mbi motivin apo personat përgjegjës”, tha Halla-aho, transmeton Telegrafi.
Zëvendëskryetarja e Parlamentit, Paula Risikko, e cila drejton grupin parlamentar për sigurinë, tha se ishte informuar për rastet javën e kaluar. Ajo konfirmoi se policia e Helsinkit është ngarkuar me fazën fillestare të hetimit.
Policia e Helsinkit deklaroi se hetimi është ende në një fazë të hershme dhe se nuk mund të japë detaje të tjera për momentin.
Ndërkohë, të gjithë deputetëve u është kërkuar të jenë më të kujdesshëm, të raportojnë çdo situatë të dyshimtë dhe të bëjnë kallëzim në polici nëse është e nevojshme.
Gazeta finlandeze Ilta-Sanomat raportoi më herët se deputetët ishin paralajmëruar javën e kaluar për mundësinë e hyrjeve në banesat e tyre dhe se gazeta kishte marrë dijeni për të paktën dy raste të tilla.
Presidenti finlandez Alexander Stubb reagoi ndaj ngjarjeve, duke thënë se një sulm ndaj një deputeti përbën një sulm ndaj demokracisë.
“Një sulm ndaj një anëtari të parlamentit është një sulm ndaj demokracisë. Kjo nuk duhet të lejohet apo pranohet në asnjë formë”, tha Stubb.
Presidenti i bëri këto deklarata në Rovaniemi, në veri të Finlandës, gjatë një ceremonie për prezantimin e avionëve të rinj luftarakë F-35 të vendit.
Për momentin, autoritetet nuk kanë dhënë ndonjë informacion që lidh rastet me një motiv të caktuar apo me ndonjë autor të dyshuar, ndërsa hetimi vazhdon. /Telegrafi/