Fondi Saudit për Zhvillim (SFD) përmes një njoftimi për media njoftuar lidhur me vizitën e zyrtarëve të saj në Kosovës dhe po ashtu ka njoftuar për mbështetjen me 16 milionë dollarë për përfundimin e segmentit prej 9.87 kilometrash të rrugës Prishtinë–Mitrovicë, projekt që pritet të përmirësojë lidhjen mes kryeqytetit dhe veriut të vendit dhe të ndikojë drejtpërdrejt në rreth 600 mijë banorë.
Në njoftim thuhet se Fondi Saudit për Zhvillim (SFD), së bashku me Qeverinë e Kosovës, ka përuruar autostradën Prishtinë–Mitrovicë, duke shënuar kështu projektin e parë të përfunduar të Fondi Saudit për Zhvillim në Kosovë dhe një moment të rëndësishëm në partneritetin mes dy palëve.
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Fondit Saudit për Zhvillim, Sultan bin Abdulrahman Al-Marshad, ka përuruar segmentin e përmirësuar të autostradës përmes prerjes së shiritit në rrugën e sapopërfunduar.
Ai më pas ka zhvilluar takime me ministrin e Financave, Hekuran Murati, ministrin e Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, si dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, me të cilët ka diskutuar për projektet zhvillimore dhe vazhdimin e partneritetit ndërmjet SFD-së dhe Qeverisë së Kosovës.
Projekti përfshin përmirësimin e një segmenti prej 9.87 kilometrash të autostradës Prishtinë–Mitrovicë, duke forcuar lidhjen ndërmjet Prishtinës, kryeqytetit të Kosovës, dhe Mitrovicës, si dhe duke përmirësuar lidhjet me veriun e Kosovës dhe komunat përreth.
Sipas njoftimit, nga projekti pritet të përfitojnë rreth 600 mijë banorë, veçanërisht qytetarët e Prishtinës, Mitrovicës dhe Vushtrrisë.
“Përmes përmirësimit të lidhjes rajonale, projekti pritet të ndihmojë në shkurtimin e kohës së udhëtimit dhe rritjen e sigurisë në trafik, duke ofruar një rrugë më të shpejtë, më të sigurt dhe më efikase për udhëtarët dhe trafikun komercial.
Përtej infrastrukturës rrugore, projekti synon të ndikojë edhe në jetën e komuniteteve përgjatë këtij korridori. Lidhja më e mirë rrugore pritet të lehtësojë lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, të përmirësojë qasjen në punësim dhe shërbime esenciale dhe të kontribuojë në rritjen e aktivitetit ekonomik”, thuhet në njoftim.
SFD e ka mbështetur projektin përmes një kredie koncesionare prej 16 milionë dollarësh, të bashkëfinancuar me Fondin OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar.
Sipas SFD-së, projekti pasqyron rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe partneriteteve të fuqishme në mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe krijimin e ndikimit afatgjatë.
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Fondit Saudit për Zhvillim, Sultan bin Abdulrahman Al-Marshad, ka thënë se autostrada Prishtinë–Mitrovicë përfaqëson një moment të rëndësishëm në partneritetin e fondit me Kosovën.
“Përmes kredisë sonë koncesionare prej 16 milionë dollarësh, ne po mbështesim përmirësimin e lidhjes rajonale dhe udhëtime më të sigurta dhe më efikase për rreth 600 mijë banorë. Projekti do të përmirësojë qasjen në punësim dhe shërbime esenciale, do të lehtësojë lëvizjen e njerëzve dhe mallrave dhe do të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe social. Ai dëshmon vlerën e partneritetit tonë me Qeverinë e Kosovës në avancimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe krijimin e përfitimeve afatgjata për komunitetet”, ka deklaruar Al-Marshad.
Ndërkaq, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se autostrada Prishtinë–Mitrovicë është një projekt i rëndësishëm për qytetarët.
“Do t’i bëjë udhëtimet më të sigurta, do të forcojë lidhjen dhe do të përmirësojë qasjen në vende pune, arsim, shëndetësi dhe tregje. Ne e vlerësojmë partneritetin me Fondin Saudit për Zhvillim dhe Fondin OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm”, citohet të ketë thënë Murati. /Telegrafi/