Aktori i njohur, Sylvester Stallone, ka rrëfyer për një fëmijëri të vështirë, të shoqëruar me dhunë, mungesë të përkujdesjes prindërore dhe ndjenjën e braktisjes.
Në një intervistë për “The New York Times”, Stallone tregoi se një pjesë të fëmijërisë e kaloi në Maryland me babanë e tij, të cilin e përshkroi si të dhunshëm fizikisht.
Ai kujtoi edhe një rast kur babai e kishte rrahur rëndë pasi ishte kthyer nga dyqani.
Sylvester Stallone
Aktori foli gjithashtu për marrëdhënien me nënën e tij, duke thënë se ajo pothuajse kurrë nuk e kishte përqafuar.
Si fëmijë, Stallone u dërgua për të jetuar në një konvikt, ku prindërit e vizitonin vetëm rreth një herë në muaj.
Sipas tij, këto përvoja ndikuan fuqishëm në karakterin e tij dhe në forcën që më vonë e solli në personazhe si John Rambo.
“Më bëri shumë të fortë”, tha Stallone, duke pranuar se kjo forcë erdhi “në mënyrën e gabuar”.
Megjithatë, kujtoi edhe një moment të rrallë dashurie nga babai i tij, kur në moshën rreth nëntë vjeçare e kishte zënë gjumi në makinë dhe babai ia kishte vendosur kokën në prehër dhe dorën mbi kokë.
“Dhe këtë nuk e harrova kurrë”, u shpreh aktori. /Telegrafi/