Komuna e Shtimes ka njoftuar se sot janë përuruar pesë shtëpi të reja për familje në nevojë, si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet komunës dhe shoqatës humanitare “Jetimat e Ballkanit”.
Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Mimoza Salihu-Qeriqi, së bashku me përfaqësues të shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, kanë vizituar familjet përfituese dhe u kanë dorëzuar shtëpitë e reja.
Sipas komunës, këto shtëpi do t’u mundësojnë familjeve përfituese të jetojnë në kushte më të mira dhe më dinjitoze.
“Këto shtëpi janë më shumë se një strehë, janë një mundësi për një fillim të ri dhe një jetë më të dinjitetshme për familjet përfituese”, ka thënë drejtoresha Salihu-Qeriqi.
Komuna ka bërë të ditur se ndërtimi i këtyre shtëpive është mundësuar përmes marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar ndërmjet kryetarit të Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, dhe humanistit Halil Kastrati, nga shoqata “Jetimat e Ballkanit”.
Sipas njoftimit, bashkëpunimi ndërmjet Komunës së Shtimes dhe shoqatës humanitare ka vazhduar me projekte për përmirësimin e kushteve të jetesës së familjeve në nevojë. /Telegrafi/