Komuna e Lipjanit ka njoftuar se sot është përuruar xhamia e re në qytetin e Lipjanit, në një ceremoni solemne ku morën pjesë përfaqësues të Komunës, Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, donatori nga Shteti i Katarit, imamë, besimtarë dhe qytetarë të shumtë.
Në ceremoninë e përurimit mori pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Lipjanit, Diamant Bytyqi, i cili uroi qytetarët për përfundimin dhe hapjen e objektit të ri fetar.
Bytyqi shprehu mirënjohje për Bashkësinë Islame, donatorët nga Katari dhe të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e këtij projekti.
“Urime të gjithë qytetarëve të Komunës së Lipjanit për ndërtimin e kësaj xhamie të re, e cila do t’u shërbejë besimtarëve me kapacitet më të madh dhe kushte më të mira”, ka deklaruar Bytyqi.
Ceremonia u zhvillua në një atmosferë festive dhe solemne, në prani të përfaqësuesve të institucioneve lokale, Bashkësisë Islame të Kosovës, donatorëve, imamëve dhe qytetarëve.
Sipas komunës, xhamia e re do të ofrojë hapësira më të përshtatshme për zhvillimin e jetës fetare dhe shërbimin ndaj komunitetit, duke krijuar kushte më të mira për besimtarët e qytetit të Lipjanit dhe rrethinës. /Telegrafi/