Gjeneral-majori Yahya Rahim Safavi, këshilltar i lartë ushtarak i Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei, paralajmëroi të enjten se një luftë e re e mundshme me SHBA-në mund të përhapet në Oqeanin Indian nëse Irani vihet sërish në shënjestër të sulmeve.
Ai deklaroi se forcat e armatosura të Iranit kanë përgatitur plane emergjence për skenarët më të këqij, sipas agjencisë së lajmeve Fars.
“Ne nuk e dimë se çfarë po ndodh në mendjet e (presidentit amerikan Donald) Trump dhe (Kryeministrit izraelit Benjamin) Netanyahu”, tha Safavi.
Ai paralajmëroi se sulme të mëtejshme amerikane ose izraelite ndaj objekteve apo interesave iraniane do ta zgjeronin ndjeshëm shtrirjen gjeografike të luftës.
“Tani që lufta është përhapur nga Gjiri dhe Ngushtica e Hormuzit në Detin e Kuq, është e mundur që, në fazën tjetër të një lufte të mundshme me SHBA-në, ky front të zgjerohet më tej, në Oqeanin Indian ose diku tjetër”, citohet të ketë thënë ai.
Ndërkohë, të gjitha fluturimet e kryera nga linjat ajrore iraniane drejt Emirateve të Bashkuara Arabe u anuluan duke filluar nga mesnata e së enjtes, raportuan mediat shtetërore.
Agjencia e Lajmeve të Studentëve Iranianë (ISNA) citoi një zëdhënës të Organizatës së Aviacionit Civil, i cili konfirmoi pezullimin e fluturimeve.
Një fluturim nga Teherani në Dushanbe u detyrua të kthehej mbrapsht të enjten, pasi Turkmenistani refuzoi t’u jepte linjave ajrore iraniane leje për kalimin përmes hapësirës së tij ajrore.
Fluturimi u kthye në Aeroportin Ndërkombëtar “Imam Khomeini” në Teheran. /Telegrafi/