Komuna e Ferizajt është gjobitur me 4 mijë euro nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për shkak të mungesës së Pëlqimit Ujor dhe lejes përkatëse ligjore për hapjen e një kanali hidroteknik.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e MMPH-së, Fitore Pacolli, e cila ka thënë se gjoba është shqiptuar ndaj Drejtorisë së Inspekcionit dhe Drejtorisë së Shërbimeve Publike të Komunës së Ferizajt.
Sipas Pacollit, kanali është hapur në rrugën “Safet Berisha”, në fshatin Nekodim.
Ajo ka deklaruar se, pavarësisht afateve të dhëna për sanimin e terrenit dhe shmangien e rrezikut nga vërshimet për banorët e zonës, kërkesat e Inspektoratit nuk janë përfillur.
“Do të jemi të pakompromis ndaj çdo institucioni, pa dallim, që nuk respekton rregullat dhe detyrimet ligjore. Ligji vlen njësoj për të gjithë”, ka deklaruar Pacolli. /Telegrafi/