Bashkimi Evropian po kundërshton planin e administratës së Donald Trumpit për të kufizuar eksportet amerikane të naftës dizel, duke paralajmëruar se një masë e tillë mund të dëmtojë si ekonominë amerikane, ashtu edhe atë evropiane.
Komisioni Evropian e ka cilësuar propozimin si një “ide të keqe”, ndërsa Brukseli thotë se ka shprehur shqetësimet e tij drejtpërdrejt te partnerët amerikanë në nivelet më të larta.
“Besojmë se kjo është një ide e keqe dhe potencialisht mund të ketë ndikim negativ në të dyja anët”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Olof Gill.
Trump e mbështeti këtë javë idenë e kufizimit të eksporteve të dizelit, në një kohë kur çmimet e karburanteve janë rritur ndjeshëm për shkak të luftës në Lindjen e Mesme.
Por sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, sqaroi se administrata nuk po planifikon një ndalim të plotë të eksporteve, por kufizime të synuara dhe vullnetare, me qëllim që të frenohet rritja e çmimeve në SHBA pa destabilizuar tregjet globale.
“Po përpiqemi të shmangim një goditje të drejtpërdrejtë përmes politikës qeveritare, duke pasur parasysh kompleksitetin e industrisë së rafinimit”, tha Wright, transmeton Telegrafi.
Çështja është veçanërisht e ndjeshme për Evropën, e cila varet shumë më tepër nga importet e karburanteve. Çmimi mesatar i dizelit në 27 vendet e BE-së ka arritur në 2.23 euro për litër, ndërsa rreth 50 për qind e importeve evropiane të dizelit në gusht erdhën nga SHBA-ja.
Brukseli kërkon që Uashingtoni të konsultohet me partnerët përpara se të marrë masa që ndikojnë në tregjet e përbashkëta.
Ndërkohë, industria amerikane e naftës dhe gazit ka paralajmëruar se kufizimi i eksporteve mund të sjellë pasoja të kundërta, duke ulur furnizimin dhe duke rritur çmimet e dizelit dhe benzinës edhe brenda SHBA-së.
Grupet e industrisë kanë dalë hapur kundër planit, duke kërkuar që administrata të fokusohet në masa që ulin realisht çmimet në pompa, në vend të kufizimeve që mund të krijojnë probleme të reja në treg.