Kosova po shënon rritje të interesimit nga turistët ndërkombëtarë, por zhvillimi i mëtejmë i sektorit kërkon investime në infrastrukturë, promovim më të mirë jashtë vendit, standardizim të shërbimeve dhe politika fiskale më konkurruese.
Kështu ka deklaruar kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti në një intervistë për Telegrafin, në prag të Ditës Botërore të Turizmit, e cila shënohet më 27 shtator.
– YouTube www.youtube.com
Sipas Hotit, gjatë këtij viti është regjistruar rritje e numrit të turistëve krahasuar me vitin paraprak, ndërsa në muaj të caktuar rritja e vizitorëve ndërkombëtarë ka arritur deri në 27 për qind.
“Kosova tashmë nuk është më vetëm një rrugë kalimi, por është një destinacion turistik”, tha Hoti, duke theksuar se po rritet edhe interesimi i grupeve ndërkombëtare për ta vizituar vendin.
Një zhvillim tjetër pozitiv, sipas tij është përfshirja e Kosovës në paketat turistike ballkanike dhe evropiane.
Përmes tyre, grupe turistësh po qëndrojnë dy ose tri net në Kosovë, duke rritur edhe efektin ekonomik të turizmit.
Hoti tha se një vizitor shpenzon mesatarisht rreth 150 euro brenda 24 orëve në Kosovë, prandaj zgjatja e qëndrimit të turistëve do të sillte më shumë të ardhura për bizneset dhe ekonominë e vendit.
Ai përmendi edhe Panairin Ndërkombëtar të Turizmit “Kosova 2026”, të mbajtur në prill, ku sipas tij morën pjesë mbi 360 biznese të industrisë së turizmit nga 19 shtete.
Pavarësisht rritjes, Hoti vlerëson se Kosova ka ende shumë punë për të bërë për promovimin ndërkombëtar.
Sipas tij, nuk duhet përdorur e njëjta strategji në çdo treg, por promovimi duhet t’u përshtatet interesave të turistëve të shteteve të ndryshme.
Ai tha se Kosova ka marrë pjesë në panaire të rëndësishme ndërkombëtare, por Unionit i Turizmit i ka rekomanduar institucioneve ndryshimin e mënyrës së marketingut.
Sipas tij, prezantimi në panaire të mëdha si ITB Berlin, World Travel Market në Londër apo panairet në Stamboll duhet të bëhet me strategji të përshtatura për secilin treg.
Hoti theksoi gjithashtu nevojën për ofrimin e paketave të gatshme turistike, me itinerar të qartë, akomodim, gastronomi, kulturë dhe traditë, por edhe me çmime konkurruese.
Një nga çështjet që Unioni i Turizmit e ka ngritur para institucioneve është TVSH-ja në sektorin e akomodimit.
Hoti tha se norma aktuale prej 18 për qind ndikon në çmimin përfundimtar të paketave turistike dhe, sipas tij, e vështirëson konkurrencën e Kosovës me vendet e rajonit dhe Evropës.
Hoti gjatë intervistës foli edhe për infrastrukturën për të cilën tha se “mbetet një prej sfidave kryesore”.
Hoti përmendi Rugovën si një zonë me potencial të madh turistik, por tha se gjendja e rrugës drejt saj nuk i plotëson kushtet dhe ndikon negativisht në imazhin turistik.
Probleme, sipas tij, paraqiten edhe gjatë sezonit dimëror në Brezovicë, kur reshjet e borës, mospastrimi i duhur i rrugëve dhe bllokimet mund t’ua vështirësojnë turistëve arritjen në destinacion.
Në anën tjetër, Hoti tha se investimet në hoteleri po rriten, duke përmendur interesimin dhe praninë e brendeve ndërkombëtare në tregun kosovar.
Por, sipas tij, infrastruktura hoteliere nuk mjafton nëse mungon cilësia e shërbimit.
“Sa do të mira t’i kemi hotelet, sa do të lira t’i kemi çmimet e hoteleve, kjo nuk kryen punë kur ne nuk kemi një shërbim të mirë”, theksoi ai.
Për ngritjen e kapaciteteve profesionale, Hoti njoftoi se Unioni ka lidhur marrëveshje me një institut amerikan dhe se nga 15 nëntori pritet të nisë trajnimi i 20 personave nga sektori i turizmit për certifikim ndërkombëtar në menaxhim.
Sipas Hotit, potenciali turistik i Kosovës nuk kufizohet vetëm te turizmi kulturor, malor apo dimëror.
Festivalet dhe aktivitetet e ndryshme, tha ai, po ndikojnë në rritjen e numrit të turistëve, ndërsa potencial në rritje sheh edhe te turizmi shëndetësor, dentar dhe sportiv.
Në veçanti, Hoti e konsideron turizmin dentar si një mundësi që mund të shndërrohet në produkt të veçantë turistik.
Ideja, sipas tij, është që vizitorëve që vijnë për trajtime dentare t’u ofrohen paketa që përfshijnë edhe qëndrimin, vizitat kulturore dhe atraksionet natyrore të Kosovës.
Ai foli gjithashtu për potencialin e turizmit sportiv, veçanërisht në prag të aktiviteteve të mëdha sportive që pritet të organizohen në vend.
Për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit, Hoti kërkoi një rol më aktiv të institucioneve.
Ai sqaroi se bizneset nuk kërkojnë domosdoshmërisht financim të drejtpërdrejtë nga shteti, por politika që ua lehtësojnë investimet dhe funksionimin.
Sipas tij, institucionet duhet të krijojnë politika stimuluese për aviokompanitë me kosto të ulët, tur-operatorët që sjellin vizitorë në Kosovë dhe investitorët në sektorin e turizmit. /Telegrafi/