Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara synojnë ta thellojnë bashkëpunimin strategjik me Serbinë, ndërsa ka shprehur shpresën se së shpejti do të ketë mundësi ta vizitojë Beogradin.
Rubio i bëri komentet të mërkurën në New York, duke folur për rolin e Serbisë si partnere strategjike të SHBA-së dhe planet e administratës amerikane për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
“Shpresoj se do të kem mundësi ta vizitoj (Serbinë)”, tha Rubio.
Ai theksoi se administrata e presidentit Donald Trump tashmë ka ndërmarrë hapa për intensifikimin e bashkëpunimit me Beogradin, ndërsa përfaqësues të Departamentit amerikan të Shtetit dhe institucioneve të tjera amerikane kanë vizituar Serbinë, raporton nova.rs.
Rubio tha se Serbia është e përfshirë në disa çështje që mund të jenë “problematike dhe shpërthyese” dhe që tërheqin vëmendjen ndërkombëtare, por shtoi se Uashingtoni synon të vazhdojë thellimin e marrëdhënieve me Beogradin.
“Është një partneritet strategjik që duam ta thellojmë dhe synojmë ta bëjmë këtë, ndërsa trajtojmë disa nga çështjet e mundshme që mund të shfaqen”, tha ai.
Ndryshe, Rubio dhe ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, në muajin korrik hapën raundin e parë të Dialogut Strategjik Serbi-SHBA në Washington. /Telegrafi/