Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, ka ngritur sërish pretendimin e vendit të tij mbi territorin britanik të Ishujve Falkland.
“Për ne, Malvinat janë një çështje kombëtare. E përsëris, Malvinat për ne janë një çështje kombëtare”, tha ai në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Milei tha se projektet për nxjerrjen e naftës në brigjet e ishujve në Atlantik, të cilat zhvillohen me licenca britanike, janë “të paligjshme dhe të jashtëligjshme”.
Sipas tij, çështja e Falklandeve nuk është vetëm një problem mes Argjentinës dhe Mbretërisë së Bashkuar, por ngre gjithashtu pyetje për aftësinë e OKB-së për të zbatuar rezolutat e veta.
Milei hodhi poshtë edhe të drejtën e banorëve të ishujve për vetëvendosje.
“Dëshiroj gjithashtu të ritheksoj qëndrimin tonë lidhur me popullsinë e ishujve. Parimi i vetëvendosjes nuk zbatohet në këtë rast, pasi popullsia është vendosur nga fuqia pushtuese në një territor, sovraniteti i të cilit është i kontestuar”, tha ai.
Milei tha se Argjentina ka zgjedhur një “qasje paqësore, praktike dhe efektive” në mbrojtjen e pretendimeve të saj për ishujt, ndërsa i bëri thirrje Mbretërisë së Bashkuar të rifillojë negociatat për çështjen e sovranitetit.
Ishujt ndodhen rreth 480 kilometra larg brigjeve të Argjentinës dhe më shumë se 12 mijë kilometra nga Mbretëria e Bashkuar.
Megjithatë, banorët e këtij territori britanik votuan për të mbetur nën sovranitetin britanik në vitin 2013. Në referendum, 99.8 për qind votuan pro qëndrimit nën administrimin britanik.
Argjentina i referohet ishujve me emrin spanjoll, Las Malvinas. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com