Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka njoftuar se është përuruar Qendra e re e Mjekësisë Familjare në këtë komunë, projekt i realizuar përmes bashkëfinancimit ndërmjet Komunës së Skenderajt dhe Qatar Charity, në vlerë prej 400 mijë eurosh.
Lushtaku ka bërë të ditur se qendra e re synon të ofrojë shërbime shëndetësore më moderne, më të afërta dhe më cilësore për qytetarët.
Sipas tij, funksionalizimi i kësaj qendre do të krijojë kushte më të mira për pacientët dhe profesionistët shëndetësorë, si dhe do të ndihmojë në lehtësimin e ngarkesës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj.
“Ky projekt është dëshmi se bashkëpunimi dhe solidariteti sjellin investime konkrete në të mirë të qytetarëve”, ka shkruar Lushtaku.
Ai ka shprehur mirënjohje për donatoren Zainab Salim Al-Hamaida, për kontributin në realizimin e projektit, si dhe për Ahmed Al Amadi, përfaqësues i Qatar Charity, për bashkëpunimin dhe mbështetjen.
Lushtaku ka thënë se Komuna e Skenderajt do të vazhdojë punën për krijimin e shërbimeve shëndetësore moderne dhe cilësore për qytetarët. /Telegrafi/