KRM “Pastrimi” ka njoftuar se ka filluar shpërndarjen dhe vendosjen e njoftimeve në hyrjet e ndërtesave të banimit, me qëllim të informimit të konsumatorëve për obligimet e papaguara për shërbimet e ofruara.
Kompania u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që kanë borxhe të papaguara që t’i shlyejnë ato sa më parë.
Për konsumatorët që nuk kanë mundësi ta paguajnë borxhin në tërësi, KRM “Pastrimi” ka bërë të ditur se ekziston mundësia e lidhjes së marrëveshjes për pagesë me këste, në përputhje me procedurat e kompanisë.
Ndërkaq, kompania ka paralajmëruar se në rast të mosshlyerjes së obligimeve do të ndërmarrë procedurat e parapara ligjore për realizimin e kërkesave financiare, përfshirë edhe inicimin e procedurës përmbarimore.
Sipas njoftimit, pagesat mund të kryhen në pikat arkëtuese të KRM “Pastrimi”, përmes e-Kosova, në zyrat e Postës së Kosovës, si dhe përmes xhirollogarive bankare të kompanisë.
“Shërbimi i rregullt kërkon edhe përgjegjësi të përbashkët”, ka theksuar KRM “Pastrimi” në njoftimin e saj. /Telegrafi/