Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar përkohësisht punimet në gjashtë objekte ndërtimi në Prishtinë, Pejë dhe Mitrovicë, pas konstatimit të parregullsive në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Sipas njoftimit të Inspektoratit, gjatë inspektimeve janë evidentuar tri objekte në Komunën e Prishtinës, dy në Komunën e Mitrovicës dhe një në Komunën e Pejës, ku nuk ishin marrë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë së punëtorëve.
Për këto raste, Inspektorati Qendror i Punës ka nxjerrë vendime për ndalimin e përkohshëm të punimeve.
Punimet në këto objekte do të mund të vazhdojnë pas eliminimit të mangësive të evidentuara dhe krijimit të kushteve të sigurta për zhvillimin e punës.
Inspektorati ka bërë të ditur se do të vazhdojë mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës, ndërsa u ka bërë thirrje punëdhënësve që të respektojnë standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në vendin e punës. /Telegrafi/