Në Amfiteatrin e Sheshit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë nis sot, më 23 shtator, edicioni i katërt i Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë.
Ceremonia e hapjes do të mbahet nga ora 11:00, ndërsa festivali do të zgjasë deri më 27 shtator. Përgjatë pesë ditëve, fëmijët dhe familjet do të kenë mundësi të marrin pjesë në aktivitete kulturore, edukative, artistike dhe kreative, si dhe të vizitojnë panairin me botime për fëmijë.
Programi i ditës së parë nis me ceremoninë e hapjes, ku do të mbajnë fjalë rasti organizatorët, mbështetësit dhe përfaqësuesit e institucioneve partnere. Pas kësaj do të ndahen edhe çmimet për “Lexuesit e Vitit” nga Biblioteka “Hivzi Sulejmani”.
Nga ora 11:30 deri në 12:30 do të zhvillohet programi “Palaço me shokë”, me palaço dhe maskota.
Ndërkaq, nga ora 12:30 deri në 14:00, shtëpia botuese Albas do të promovojë librat e serisë “Më quajnë… Majlinda Kelmendi dhe Nexhmije Pagarusha”.
Programi vijon nga ora 14:00 deri në 15:00 me aktivitete të organizuara nga “Bright Minds” në fushën e STEM-it.
Nga ora 15:00 deri në 16:00, “Evolution Dance” do të zhvillojë aktivitetin “Kids Dance on Reading Day”, ndërsa nga ora 16:00 deri në 18:00 fëmijët do të kenë mundësi të marrin pjesë në aktivitetin “Një ditë me zjarrfikësit” dhe të njihen më nga afër me profesionin dhe punën e zjarrfikësve.
Përgjatë festivalit, vizitorët do të mund të njihen edhe me botime të ndryshme për fëmijë nga shtëpitë botuese të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Sipas organizatorëve, festivali është konceptuar edhe si një përgjigje ndaj nivelit të ulët të kulturës së leximit në Kosovë. Ata i referohen një hulumtimi të organizatës ETEA, sipas të cilit në vitin 2024, 53 për qind e qytetarëve të Kosovës nuk kanë arritur të përmendin tre tituj librash që kanë lexuar gjatë gjithë jetës.
Përmes aktiviteteve që ndërthurin librin me artin, edukimin dhe argëtimin, organizatorët synojnë që fëmijët të afrohen me librin, autorët dhe ilustruesit, duke e promovuar leximin si shprehi dhe pjesë të jetës së përditshme.
Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë organizohet nga ETEA dhe Biblioteka “Hivzi Sulejmani”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe Komunës së Prishtinës.
Edicioni i katërt sponsorizohet nga Albas, NLB Banka, IPKO, Rugove, Delta Security, Agora dhe Fave.
Vendi: Amfiteatri i Sheshit “Zahir Pajaziti”, Prishtinë
Ora: 11:00
Datat: 23–27 shtator 2026