Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas masës së arrestit shtëpiak të vendosur ndaj drejtores së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, duke paralajmëruar lirimin e saj të menjëhershëm nga detyra.
Në një reagim në platformën “X”, Rama, i cili ndodhet në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, tha se është informuar për masën e kërkuar nga SPAK-u dhe se pret që çdo dyshim të hetohet e të zbardhet përmes një procesi të pavarur gjyqësor.
Ai theksoi se, pavarësisht vlerësimeve për punën e Hysenit dhe bashkëpunimin e saj me agjencitë partnere, askush nuk mund të jetë mbi ligjin.
“Përtej respektit për punën dhe për personin e Vlora Hysenit, si edhe po ashtu përtej vlerësimeve të vazhdueshme që ajo ka marrë nga agjencitë partnere si drejtuese e shërbimit inteligjent shqiptar, rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik”, shkroi Rama.
Kryeministri shqiptar kritikoi gjithashtu mënyrën se si raste të tilla, sipas tij, shndërrohen menjëherë në përplasje politike dhe mediatike, pa pritur që drejtësia të japë vendimin përfundimtar.
Ai përsëriti qëndrimin se çdo person konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës, por njëkohësisht theksoi se askush nuk është mbi ligjin.
“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar, po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye”, shkroi Rama.
Në fund të reagimit, ai bëri të ditur se Hyseni do të lirohet menjëherë nga detyra, ndërsa drejtuesi i ri i SHISH-it do të zgjidhet pas kthimit të tij në Tiranë dhe konsultimit me Presidentin e Republikës.
“Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit”, shkroi Rama.
Reagimi vjen pas zhvillimeve të fundit që lidhen me masën e arrestit shtëpiak ndaj Vlora Hysenit. Për çështjen pritet të ketë zhvillime të mëtejshme nga organet e drejtësisë.