Për më shumë se një javë, Hristijan Mickoski dhe delegacioni qeveritar kanë qenë në SHBA, dhe publiku nuk ka parë asnjë takim konkret, marrëveshje apo rezultat për Maqedoninë, tha sot në një konferecë për shtyp kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
“Ky është ndoshta delegacioni qeveritar me qëndrimin më të gjatë, dhe me më pak punë të bërë. Delegacionet e tjera tani po mbërrijnë në New York, dhe kanë qenë atje për një javë dhe nuk kemi parë absolutisht asgjë konkrete”, tha Filipçe.
Ai theksoi se Mickoski po përpiqet ta justifikojë ekskursionin në SHBA me një mbrojtje të supozuar të interesave kombëtare dhe identitetit maqedonas, por se nuk ka asnjë rezultat konkret pas këtyre deklaratave.
“Mickoski thotë se ai mbrojti interesat dhe identitetin kombëtar. Dhe vetë presidentja Siljanovska-Davkova tha se Marrëveshja e Prespës konfirmon identitetin maqedonas. Atëherë, çfarë po mbron Mickoski në Amerikë?” pyeti Filipçe.
Mickoski ka manipuluar publikun për vite me radhë se do të rivendosë emrin, do të anulojë Marrëveshjen e Prespës dhe do të rinegociojë Marrëveshjen me Bullgarinë, por nuk ka bërë asgjë nga këto.
“E vërteta është e thjeshtë, ai po gënjen përsëri, siç ka gënjyer për vite me radhë. Ai nuk ka bërë asgjë dhe nuk po bën asgjë tani. Kjo qeveri jo vetëm që nuk mbron, por edhe kërcënon interesat kombëtare”, theksoi kryetari i LSDM-së.
Filipçe theksoi se një nga interesat më të larta kombëtare është integrimi i vendit në Bashkimin Evropian, ndërsa politika izolacioniste e Mickoskit po e distancon Maqedoninë nga fondet dhe mundësitë evropiane të zhvillimit./Telegrafi/