Kiflet e buta janë të preferuara nga shumë njerëz, por problemi është se shpesh që ditën tjetër mund të bëhen të thata dhe të forta.
Megjithatë, ekziston një truk i thjeshtë që mund t’i mbajë të buta deri në tre ditë dhe për këtë ju duhen vetëm dy përbërës që me shumë gjasë i keni tashmë në kuzhinë.
Sekreti qëndron te jogurti i zakonshëm dhe patatja e zier.
Foto ilustruese
Shtimi i tyre në brumë ndihmon që të ruhet më shumë lagështirë, duke bërë që kiflet të mbeten të freskëta, të buta dhe të ajrosura edhe pasi të jenë ftohur plotësisht.
Jogurti ndihmon në krijimin e një brumi më të butë, ndërsa niseshteja që gjendet te patatja e zier ndihmon në ruajtjen e lagështirës.
Pikërisht ky kombinim mund të bëjë diferencën mes kifleve që janë të buta vetëm ditën e parë dhe atyre që mbeten të tilla edhe në ditët në vijim.
Patatja duhet të zihet, të lihet të ftohet dhe më pas të shtypet mirë, në mënyrë që të mos mbeten kokrriza.
Kjo bën që ajo të përzihet në mënyrë të njëtrajtshme me brumin dhe të mos ndikojë në teksturën e kifleve.
Po aq i rëndësishëm është edhe pjekja. Gjatë qëndrimit në furrë, brumi humbet lagështirën, ndaj pjekja e tepërt mund të bëjë që kiflet të thahen dhe të forcohen më shpejt.
Mjafton që të marrin një ngjyrë të bukur të artë, pa i lënë të piqen më shumë se ç’duhet.
Në një brumë klasik me miell, maja, qumësht dhe vaj, lagështira humbet gradualisht, prandaj kiflet mund të mos jenë më aq të buta që të nesërmen.
Jogurti dhe patatja ndihmojnë në ngadalësimin e këtij procesi.
Pasi të piqen, kiflet duhet të lihen të ftohen dhe më pas të ruhen në një enë të mbyllur mirë ose në një qese, në mënyrë që të parandalohet tharja e mëtejshme.
Ky truk i thjeshtë nuk kërkon përbërës të veçantë apo të shtrenjtë, por mund të bëjë një ndryshim të madh.
Me vetëm jogurt dhe patate të zier, kiflet tuaja mund të mbeten të buta, të freskëta dhe të shijshme edhe disa ditë pas pjekjes. /Telegrafi/