Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është takuar me drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe, në aeroportin Shannon të Irlandës, në një takim të shkurtër dhe joformal gjatë furnizimit me karburant të aeroplanëve të tyre.
Takimi u raportua fillimisht nga Reuters, duke cituar dy burime të njohura me çështjen, transmeton Telegrafi.
Sipas njërit prej burimeve, takimi ndodhi të hënën, ndërsa burimi tjetër tha se dy zyrtarët biseduan gjatë qëndrimit të avionëve në Shannon, pa specifikuar datën.
Të dy burimet, të cilat kërkuan anonimitet për shkak të natyrës së ndjeshme të çështjes, nuk zbuluan se çfarë diskutuan Zelensky dhe Ratcliffe.
Zelenskyy po udhëtonte drejt Nju Jorkut, ku po merr pjesë në aktivitetet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ndërkohë, Ratcliffe ishte duke u kthyer nga një takim me presidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sisi, sipas njërit prej burimeve.
Takimi vjen më pak se një muaj pas udhëtimit të Ratcliffe në Moskë, ku ai u takua me zyrtarë të lartë të inteligjencës ruse. CIA dhe Ratcliffe nuk kanë bërë publike detajet e bisedimeve në Moskë, por një burim i tha Reuters se Ukraina ishte ndër çështjet e diskutuara.
Sipas një raportimi të The New York Times të cituar nga Reuters, gjatë vizitës në Moskë Ratcliffe u kishte paraqitur zyrtarëve rusë një vlerësim të zymtë mbi situatën e luftës në Ukrainë dhe i kishte nxitur të arrinin një marrëveshje përpara se pozita e tyre të dobësohej më tej.
Megjithatë, nuk ka ende informacion publik se çfarë u diskutua mes Zelenskyt dhe Ratcliffe në Shannon, ndaj çdo lidhje mes këtij takimi dhe bisedimeve të mëparshme në Moskë mbetet e pakonfirmuar. /Telegrafi/